Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka as qeveri Konjufca, Kosova drejt zgjedhjeve të reja

  • Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën
  • Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.
  • Partitë që deri tash ishin në opozitë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja ishin kundër. Nisma abstenoi
  • Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme
  • Paraprakisht Kuvendi hapi seancën e jashtëzakonshme me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje – për komisionet që i hapin rrugë shqyrtimit të buxhetit
  • Në këtë seancë nuk pati kuorum dhe u mbajtën fjalime vetëm nga deputetët e VV-së dhe një nga Përparim Gruda i PDK-së

Gruda në Kuvend: Kjo seancë është antikushtetuese

11 muaj më parë / 19 nën 2025 11:47
Përparim Gruda

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme që po mbahet me pikë të rendit të ditës për formimin e komisioneve parlamentare, është antikushtetuese.

Si i vetmi deputet i partive që deri tash ishin në opozitë që po merr pjesë në këtë seancë, Grua ka thënë se asnjë kuvend nuk mund të mbajë seanca pa zgjedhur qeverinë.

“Nuk mund të trajtohen çështje të tjera pa formimin e Qeverisë. Është standard i njohur në mbarë botën”, ka thënë ai.

Sa i përket rendit të ditës, ai ka thënë se qeveria aktuale nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin. “Ky Kuvend nuk ka lidhje me qeverinë ekzistuese”, ka thënë Gruda.

Ai ka thënë po ashtu se formimi i komisioneve është i pamundshëm për shkak se siç ka thënë, nuk dihet kush është pushtet e kush opozitë.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se fakti që deputeti Gruda është në seancë edhe pas konferencës së Vlora Çitakut e cila tha se nuk do të marrin pjesë, tregon disonancën mes partisë.

“Pra me gjasë kanë vlerësuar se nuk ka bërë punë të mirë në konferencë dhe ka ardhur këtu”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Gruda tha se për të gjitha komisionet përveç dy prej tyre, komisioni për mbikëqyrje të AKI-së dhe ai për Financa Publike, nuk ka rënësi kush është pozitë apo opozitë.

Kusari-Lila fton partitë e ish-opozitës t’i thërrasin ndërgjegjes

11 muaj më parë / 19 nën 2025 11:46
Mimoza Kusari-Lila

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë apel ndaj grupeve parlamentare që nuk janë prezente në Kuvend, duke i ftuar t’i thërrasin ndërgjegjes dhe përgjegjësisë për miratimet që ndikojnë direkt te fondet dhe shërbimet për qytetarët.

“Nuk është ajo çfarë kemi synuar, por është e mundshmja. Deputetët janë me mandat të plotë, Kuvendi është i konstituar. Vota jonë mund ta bëjë ndryshimin sot. Nga kjo foltore i ftoj të gjitha grupet parlamentare që nuk janë prezente, të vijnë, t’i thërrasin ndërgjegjes dhe përgjegjësisë. Nuk e kemi për betejë politike. Marrëveshjet nuk janë për parti, por për qytetarët. Pa ato miratime, humbin fondet, por edhe një pjesë e ndërgjegjes tuaj”, ka thënë Kusari-Lila.

Berisha: Po bëhet lojë politike cili po e dëmton tjetrin, por më së shumti dëmtohet Kosova

11 muaj më parë / 19 nën 2025 11:24
Veton Berisha

Deputeti nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se do të marrë pjesë në seancën ku parashihet shqyrtimi i projektbuxhetit. Ai ka thënë se do të shohë si po procedohet dhe nëse është në mënyrë të ligjshme, por thotë se dëshiron ta ndihmojë Kosovën të dalë nga ngërçi. 

“Unë do të hy në seancë e të shoh si procedohet, e kam vetëdijen me vlerësuar a po procedohet ligjshëm apo jo...Por, siç po shihet, është lojë politike për të parë se cili dëmton tjetrin, por në këtë rast po dëmtohet më së shumti Kosova”, tha Berisha në një prononcim për media. 
 

Nisma thotë se nuk merr pjesë në seancë

11 muaj më parë / 19 nën 2025 11:20
ARBRESHA KRASNIQI

Deputetja Arbëresha Krasniqi e Nismës Socialdemokrate ka thënë se vendi ka ardhur në një situatë e tillë për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se Nisma nuk do të marrë pjesë në seancës e orës 11.

Ka deklaruar se është seancë e thirrur jashtë rregullave ligjore.

“Nisma nuk ka votë për këtë pjesë”, ka thënë ajo.

Zemaj: Nuk bëhemi pjesë e krizave të fabrikuara

11 muaj më parë / 19 nën 2025 11:12
Armend Zemaj

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se partia të cilës ai i takon nuk do të marrë pjesë në seancë.

Ai ka thënë se kjo seancë është mjet i zakonshëm populist, të cilën sipas tij, po e përdor partia që fitoi zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje.

Zemaj ka deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e “krizave të fabrikuara”.

Ka thënë se për të fshehur mungesën e numrave “sot po provohet treni i fundit”.

“Vetëm që Kurti të zhveshët nga përgjegjësia e dështimit të saj. LDK-ja refuzon mënyrën e papërgjegjshme që VV-ja po tenton t’i përdorë institucionet si instrument të lojërave të saj”, ka thënë ai.

Zemaj ka shtuar se po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të bëheshin me kohë.

“LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e orës 14:00. Kjo që po ndodhë nuk është asgjë tjetër vetëm lojë e VV-së. Sot besojmë se në orën 14:00 manovrave të LVV-së do t’u vije fundi”, ka thënë ai.

Murati: Nëse Kuvendi s’i ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, humbin mbi 200 mln euro

11 muaj më parë / 19 nën 2025 11:01
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse deputetët nuk i ratifikojnë marrëveshjet ndërkombëtare në seancën e sotme atëherë mbi 200 milionë euro do të humbin pakthyeshëm, prej tyre 88 milionë euro nga plani i rritjes i Bashkimit Evropian. 

“Nëse Kuvendi sot nuk arrin të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë mbi 200 milionë euro humbin pakthyeshëm: 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota”, ka shkruar Murati në Facebook. 

Seanca, ku është paraparë të shqyrtohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare, është caktuar për ora 11:00. 


 

Çitaku: S’marrim pjesë në seancë, nuk bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve

11 muaj më parë / 19 nën 2025 10:57
vlora citaku

Photo: Driton Paçarada

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

 Çitaku, në një konferencë për media tha se PDK-ja është për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

 “PDK-ja nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve të të tjerëve. Sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët. Nuk është thirrur për ligjet. As për komisionet. Kjo seancë është thirrur për t’i shpëtuar fajit, fajit të një pushteti që për 10 muaj rresht ka refuzuar të marrë vendime, të ndërtojë dialog, të krijojë shumicë dhe të formojë qeveri. Thirrjet për të shkelur ligjin nuk janë zgjidhje. As për vendin, as për Kuvendin, as për demokracinë tonë. Ato janë derë e hapur për kaos. Janë precedentë të rrezikshëm që dëmtojnë themelet e shtetit ligjor”, ka theksuar ajo.

Çitaku ka thënë se kjo seancë “është një skemë e radhës e Qeverisë në ikje për të mbuluar krizën në të cilën po e fusin vendin, si dhe është e paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

 “Prej 10 muajsh, Kosova është mbajtur peng. Prej 10 muajsh, vendi është zhytur në bllokim institucional. Prej 10 muajsh, qytetarët tanë presin qeverinë e re, parlament funksional, komisione pune, e shtet normal. Fatkeqësisht, edhe pas 10 muajsh: asnjërën nuk e kemi. Rrjedhimisht, Republika e Kosovës ka humbur tërësisht vitin 2025. Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk e kanë pasur këtë luks. Përkundrazi, ne kemi pasur nevojë për një vit dinamik dhe produktiv si asnjëherë më parë”, ka shtuar ajo.

 Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit që ka zgjedhur ta përdorë fitoren jo për të qeverisur, por për të zvarritur, për të manipuluar proceset dhe për të konsumuar çdo afat ligjor, në mënyrë që, sipas saj, të shmangë përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve.

 “E përsëris: kjo seancë që do të mbahet pas pak minutash, është farsë. Është truk politik. Nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme: Kur vjen puna për të formuar institucionet: zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga LVV. Por kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë: nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku.

Çitaku ka thënë Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka mundësi ligjore të sigurojë pagat për punëtorët e RTK-së përmes rezervave shtetërore.

“Nëse po i referohemi RTK-së, Ministri në ikje ka mundësi ligjore që të bëj një gjë të tillë përmes rezervave shtetërore. Është vepruar edhe më herët. Çfarë po bën kjo kastë politikanësh është shantazh publik”, ka theksuar ajo.

 

Thaçi i VV-së: Zgjidhje janë zgjedhjet, qytetarët do t’ua tregojnë vendin bllokuesve

11 muaj më parë / 19 nën 2025 10:49
halil thaci

Kryetari i zgjedhur i Obiliqit dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka thënë se zgjidhja e vetme aktuale janë zgjedhjet.

Kjo pasi sipas tij, deputetët shqiptarë problemin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe jo me Listën Serbe.

“Përderisa në këtë Kuvend ka deputetë shqiptarë që thonë se nuk e kanë problem me Listën Serbe por e kanë problem me kryeministrin Albin Kurti, unë mendoj që e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Me këtë mentalitet të opozitës, është për keqardhje. Unë ju them me përgjegjësi të plotë si kryetar i Komunës së Obiliqit, shihemi në zgjedhje. Qytetarët do t’ua tregojnë  vendin këtyre që po e bllokojnë vendin”, ka thënë ai.

Ai ka  shtuar se të gjitha subjektet politike e kanë problemin me Qeverinë e Kosovës dhe jo me ata që i kanë sulmuar mediat në veri të vendit.

IKD-ja për seancën e sotme: Cenon rendin kushtetues dhe juridik

11 muaj më parë / 19 nën 2025 10:09
IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është duke shënuar nivelin më të lartë të parregullsive kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Kosovës. 

IKD-ja ka thënë se seanca e ftuar nga deputetët e Vetëvendosjes sot në ora 11:00, ku është paraparë ndër të tjera shqyrtimi i parë i projektbuxhetit për vitin 2026 dhe çështja e financimit të RTK-së, është në kundërshtim me Kushtetutën. 

“Legjislatura e 9-të e Kuvendit të Kosovës po shënon nivelin më të lartë të parregullsisë kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Republikës së Kosovës.  Sot para seancës për zgjedhjen e Qeverisë, është thirrur  një seancë tjetër e jashtëzakonshme me disa pika të rendit të ditës, të cilat janë proceduar në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, praktikën parlamentare, Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Ligjin për Nismat Legjislative dhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë nga IKD-ja. 

IKD-ja ka thënë se përpjekja për të formuar komisionet parlamentare pa u formuar qeveria, cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës. Ka thënë se komisionet formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga Kuvendi i Kosovës. 

“Përpjekja  për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës. Kjo qasje e kryetarit aktual të Kuvendit bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe praktikën e deritanishme parlamentare. Sipas procedurës së detyrueshme, fillimisht Kryesia duhet të përcaktojë strukturën e komisioneve, të marrë propozimet nga grupet parlamentare, të hartojë dokumentin final dhe vetëm më pas ta dërgojë për miratim në seancë plenare. Procedimi aktual e ka anashkaluar këtë proces duke e kaluar këtë proces në mënyrë arbirtrare. Komisionet parlamentare formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga vet Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të dihen balancat politike dhe ndarja qeveri-opozitë. Kjo vlen edhe për komisionet e veçanta. Dy komisionet më të rëndësishme mbikëqyrëse - Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sipas ligjit, Rregullores dhe praktikës parlamentare, i takojnë opozitës. Në këtë fazë të paqartë politike, nuk dihet ende se cilit subjekt i takon statusi opozitar, duke e bërë të pamundur formimin ligjor të këtyre komisioneve”. 

Sot është paraparë të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës. Njëra në ora 11:00, ndërsa seanca tjetër nga ora 14:00 do të jetë për votimin e qeverisë së propozuar nga mandatari Glauk Konjufca.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë. 

IKD-ja ka thënë se zgjidhja e vetme rale është arritja e një marrëveshje politike ndërmjet partive. 

“Për këtë arsye, IKD u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe në mënyrë të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje, që para seancës së sotme të orës 14:00 mandatari për formimin e Qeverisë, z. Glauk Konjufca, të thërrasë menjëherë një takim me kryetarët e të gjitha partive parlamentare. Qëllimi i këtij takimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për formimin e një Qeverie teknike, e cila do të mundësojë adresimin e çështjeve urgjente të administrimit shtetëror: miratimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2026, buxhetin për RTK, alokimin e buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera të pazgjidhura që kërkojnë funksionim të plotë institucional. Vetëm një marrëveshje politike dhe konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë procedurale, legjitimitetin e institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse ky hap nuk ndërmerret, vazhdimi i devijimeve aktuale do të shkaktojë dëm të parikuperueshëm për rendin kushtetues të vendit, funksionimin e demokracisë parlamentare dhe sundimin e ligjit”, është thënë nga IKD-ja.

 

PDK, LDK, AAK e Nisma: S’ka votë as për buxhet, as për Qeveri

11 muaj më parë / 19 nën 2025 07:54 Nga: Marigona Brahimi
kuvendi i kosoves

Photo: Driton Paçarada

Propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë përgjigje të prerë nga katër parti parlamentare, një ditë para se ato të nxirren për diskutim e miratim në Kuvendin e Kosovës, në dy seanca të ndara. Në seancën e parë ku do të synohet formimi i komisioneve, që i hapin rrugë veç tjerash edhe projektligjit të buxhetit 2026, subjektet politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Të njëjtat, ndonëse kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e dytë, janë deklaruar se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën të mandatuarin e dytë për krijimin e qeverisë.

Seanca e parë që më kërkesë të 40 deputetëve të Vetëvendosjes është caktuar të mbahet në orën 11:00, parasheh nëntë pika të rendit të ditës. Në këtë seancë do të synohet formimi i komisioneve parlamentare e më pas shqyrtimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, shqyrtimi në lexim të parë i projektligjit për buxhetin për vitin 2026, miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin- Potokut, si dhe trajtimi i çështjes së financimit të RTK-së.

Në arsyetimin për seancën e orës 11:00, ligjvënësit e Vetëvendosjes kanë theksuar se miratimi i çështjeve të listuara në rendin e ditës janë parakusht për funksionimin e rregullt të institucioneve.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vlerëson se çështjet e përcaktuara në rendin e ditës kërkojnë trajtim urgjent nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për shkak të rëndësisë së tyre institucionale, buxhetore dhe funksionale”, thuhet në arsyetimin e LVV-së të shkruar në kërkesën për seancë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka shprehur pritjet se të gjithë deputetët do të shprehin gatishmërinë për miratimin e këtyre vendimeve.

“Po shpresojmë që në seancë, për arsyet emergjente të cilat lidhen edhe me buxhetet e komunave, të marrin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të tregojnë gatishmëri e vullnet për t’i tejkaluar ngarkesat e obligimet financiare të cilat mund të kryhen në legjislaturën e nëntë, para se të kalojmë në një votim tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.

Pas përfundimit të kësaj seance, deputetët do të mblidhen sërish për zgjedhjen e Qeverisë. Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse janë siguruar votat e nevojshme për votim të suksesshëm. Për këtë refuzoi të përgjigjet edhe kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, kur u pyet nga gazetarët.

“Më duhet të shkoj shpejt në takimin e radhës”, ka thënë Kurti.

Në partitë që ishin opozitë në legjislaturën e kaluar, i kanë konfirmuar qëndrimet kundër Qeverisë Konjufca.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se Vetëvendosja nuk ka vullnet për ta bërë Qeverinë dhe se e ka zvarritur qëllimshëm procesin deri më tash.

“Qëndrimi i PDK-së është i njëjtë që kemi pasur tashmë e më shumë se tetë muaj në raport me krijimin e institucioneve. Edhe seanca e nesërme, e cila është dita e fundit juridikisht që duhet me u thirre, është vazhdimësi e orvatjes dhe lojës politike që mazhoranca e ka bërë pa vullnetin për të ndërtuar institucionet e shtetit, pra do të jetë një përsëritje e një skenari që tashmë është i njohur”, ka thënë Shala.

Mospjesëmarrjen e PDK-së e konfirmoi edhe zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu.

Po ashtu edhe në LDK kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për trajtimin e çështjes së buxhetit për vitin e ardhshëm e të disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk bëhet pjesë e shfaqjeve parlamentare të pushtetit në ikje. Sipas tij, deputetët e LDK-së do të marrin pjesë vetëm në seancën për zgjedhjen e Qeverisë dhe se do të votojnë kundër mandatarit të LVV-së, Glauk Konjufca, të cilin e quajti kukull.

“Zvarritën tetë muaj krijimin e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vetë me vonesë... Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet”, ka thënë Abdixhiku.

Pjesëmarrjen vetëm në seancën e orës 14 e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

Ky subjekt javën e kaluar ka dalë me qëndrim për çështjen e mandatarit.

“AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare... Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka shkruar Xhemaili në Facebook.

As Nisma Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00.

“Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore. Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në këtë seancë të improvizuar. Ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj zgjidhjeve që u shërbejnë qytetarëve, që rikthejnë normalitetin institucional dhe që respektojnë rendin kushtetues. Në këtë moment vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale”, thuhet në deklaratën e Nismës Socialdemokrate.

Ndaj seancës së thirrur nga Vetëvendosje për trajtimin e buxhetit kanë reaguar edhe në shoqërinë civile. Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka thënë se kjo seancë është e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit. Ka thënë se e vetmja zgjidhje është krijimi i një qeverie teknike me mandat të kufizuar që do të kishte vetëm një qëllim - ta nxjerrë vendin nga bllokada dhe të përgatisë zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo seancë nuk është zgjidhje por është një manovër politike e pushtetit, të cilës i është bashkuar së fundi edhe presidentja Osmani, për të zhvendosur fajin te të tjerët për pasojat e rënda financiare me të cilat do të përballet vendi”, ka thënë ai.

Seriozitetin e Vetëvendosjes për t’i trajtuar këto çështje e ka kontestuar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Së pari, duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme. Për më tepër, dështimi eventual për miratimin e pikave të nesërme do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Dhe së dyti, po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars - kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente”, është shprehur Cakolli.

Në rast të dështimit të Konjufcës për të siguruar votat e nevojshme për Qeverinë, presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes. 

Zgjedhjet për Qeverinë që synohet të formohet nesër janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.

LVV-ja ka siguruar 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, AAK 5, Nisma 3, ndërsa Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb. Një ulëse nga komuniteti serb e ka partia e Nenad Rashiqit, ndërsa dhjetë ulëset e tjera nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.