Përbërja e re e Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor, do të përcaktojë të ardhmen e presidentes Vjosa Osmani. Në një konferencë për media, të enjten, Osmani ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës, duke mos hedhur poshtë as kandidimin për mandat të dytë si presidente e as pjesëmarrjen në zgjedhjet eventuale në pranverën e vitit të ardhshëm
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do ta lërë të ardhmen e saj politike në duart e qytetarëve, kur është pyetur nëse synon mandat të dytë në krye të shtetit.
Ndonëse nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që t’i bashkohet ndonjë partie, Osmani ka thënë se vendimi i saj për pozicionin politik do të varet nga përbërja e re e Kuvendit, që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Unë nuk mund për momentin t’ju jap një përgjigje fikse, sepse do të pres rezultatet e Kuvendit të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe vetëm atëherë do të shohim cili është disponimi i partive politike, cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në atë moment. E rëndësishme është që unë do të mbes e angazhuar në institucionet e Republikës së Kosovës, do të jap kontribut për aq sa mundem dhe do t`u kthehem qytetarëve, le të jenë ata që vendosin për të ardhmen time politike”, ka thënë Osmani, në konferencën për media, ku edhe ka njoftuar për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Se si do t`iu kthehet vendimi qytetarëve, Osmani ka thënë se nuk mund ta shpalosë aktualisht.
“E gjejmë na rrugën përpara, nuk është momenti që ta bëjmë publike”, ka thënë ajo.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, në rastin konkret, më së largu më 4 mars. Për t’u zgjedhur sërish presidente, Osmanit i duhen së paku 80 vota nga 120 deputetët e Kuvendit në dy raundet e para.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk i ka nisur diskutimet për sigurimin e votave të nevojshme, porse ato do të fillojnë pas konstituimit të legjislaturës së dhjetë.
“Nuk kemi diskutime, se këto diskutime siç e kam thënë edhe më herët do të fillojnë vetëm pasi të kemi një kuvend të ri të konstituuar pas zgjedhjeve të datës 28 dhjetor dhe pasi ta kemi qeverinë e re. Vetëm atëherë kanë kuptim diskutimet për pozicionin e institucionit të presidentes, sepse tani për tani unë nuk e shoh të mundshme që kushdo me këdo të diskutojë, të merret vesh, sepse numrat në Kuvend janë të paparashikueshëm. Ato janë çështje e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Kushtetuta përcakton se nëse asnjë nga kandidatët nuk merr dy të tretat në dy votimet e para, votimi i tretë organizohet mes dy kandidatëve me më së shumti vota. E nëse në votimin e tretë asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e thjeshtë – 61 vota, atëherë shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.