Përparim Ramuka të premten kishte rënë në sy kur kishte dal para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar i vetëm kundër ngritjes së çmimeve.
Me një jelek të gjelbër e me pankarta në dorë, ai kishte protestuar për afro tri orë.
Përparimi, që jeton në Ferizaj, ka treguar në emisionin “Sot” në KTV se si i erdhi ideja për të protestuar, e po ashtu ka dhënë një kronologji të protestës.
“Çdo qytetar mund ta shpreh pakënaqësinë e tij, të protestojë. Protesta është një gjë që e kemi të garantuar. Atë ditë unë dhe familjarët tjerë i shikuam lajmet në TV dhe shikuam edhe çmimet nëpër marketet në afërsi. Çmimet po rriteshin shumë. Unë bëra nja dy pankarta me kartonë që gjeta në shtëpi dhe u nisa. Në market çmimi i vajit kishte shkuar 3.50 euro e i naftës 1.70 euro”, ka thënë Përparimi.
Ai ka treguar se familjarët nuk i ishin bashkuar pasi të gjithë ishin me obligime, por se ai ndonëse e kishte mundësinë të qëndronte në shtëpi vendosi të protestonte.
Edhe
Qytetari nga Ferizaj proteston i vetëm para Qeverisë kundër ngritjes së çmimeve
Ai paraprakisht kishte hapur një grup në Facebook për të paralajmëruar protestën dhe në grup ishin bashkuar 170 persona.
“E bëra event i ftova të më bashkohen, por nuk erdhi askush. Kur kalova në shesh pastaj ndodhën gjëra tjera. Policia më tha se nuk bën të protestoj, unë u largova disa hapa, por vazhdova protestën. Nuk besoj se është shkelje e ligjit të protestosh”, ka thënë Përparimi. “Afro 30 qytetarë janë ndalur e më kanë përgëzuar për protestën. Shikonin pankartat, një qytetar madje më dha edhe dorëzat e tij. Ishte ftohtë, diku minus 5 gradë Celsius. E falënderoj atë qytetar për këtë gjest. Një grua nga Zvicra më pas erdhi e më tha se po i vjen interesant pse po protestoj. Diskutuam me të dhe e pamë se çmimet në Zvicër janë afërsisht ngjashëm me këto në Kosovë, vetëm se rrogat janë dukshëm më të vogla në Kosovë”.
Qytetari nga Ferizaj ka treguar se kishte kaluar andej edhe një delegacion nga Shqipëria, e po ashtu deputetja Duda Balje i kishte dhënë përkrahje.
“Më tha se jam me ty. I thash bashkëngjitu në protestë, por nuk erdhi. Diku nga fundi i protestës, në 15 minutat e fundit, pasi protestova tri orë, më u bashkëngjit një 22-vjeçar dhe po ashtu pesë qytetarë tjerë. U bëmë shtatë veta. Por, unë e pata kohën për të përfunduar protestën dhe erdhi Policia më tha protesta ka përfunduar”.
Qytetari, që vet është i papunë, ka treguar se në rrjete sociale është komentuar mirë protesta e tij e veçantë, ndërsa po ashtu ka treguar edhe se njolla e zezë në jelekun e gjelbër që e mbante kishte një simbolikë.
“Ishte për të treguar një njollë e zezë në shoqëri”, ka thënë ai.
Ndonëse janë ulur paksa çmimet, Përparim Ramuka, thotë se nuk është në rregull pasi nuk mund të përballohen çmimet aktuale.
Edhe
Në protestën kundër kapitalizmit, Policia arreston disa pjesëmarrës
“Besoj se edhe një herë do ta zhvilloj një protestë kështu i vetëm. Në fakt do ta paralajmëroj protestën e të shoh nëse do të bashkëngjitet dikush tjetër”, tha Përparimi.