Aktivistja Qendresa Hyseni ka thënë se protesta e së premtes është mjet për ta parandaluar rritjen prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike, të kërkuar nga KESCO-ja. Ajo ka paralajmëruar se miratimi i kësaj kërkese nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të ketë ndikim në koston e jetës së qytetarëve
Një ditë para protestës kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike, organizatorë të tubimit të së premtes u kanë bërë thirrje qytetarëve për dalje masive.
Aktivistja Qendresa Hyseni ka thënë se protesta është mjet për ta parandaluar rritjen prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike, të kërkuar nga KESCO-ja. Ajo ka paralajmëruar se miratimi i kësaj kërkese nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të ketë ndikim në koston e jetës së qytetarëve.
“Për ne është shumë e rëndësishme që mos me u ndalë si qytetare dhe qytetarë në kërkesën që të mos merret vendimi për shtrenjtim të rrymës, për shkak se kjo automatikisht ndikon në cilësinë e jetës dhe koston e jetës që do të rritet nëse rritet 20 për qind fatura e rrymës”, ka thënë ajo.
Hyseni ka paralajmëruar veprime edhe për ta kundërshtuar vendimin për shtrenjtim të rrymës, në rast se ai merret.
“Kjo protestë do të jetë si nisje e aksioneve të tjera deri në realizim të kërkesave tona dhe pezullim të vendimit. Protesta është për të gjithë qytetarët edhe qytetaret, edhe secili ka të drejtën të protestojë në mënyrën se qysh e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme”, është shprehur ajo.
Kundër kërkesës së KESCO-s për rritje të tarifave të energjisë elektrike ka reaguar të enjten edhe Rinia e Partisë Demokratike (PDK), nëpërmjet një aksioni simbolik të zhvilluar para objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Me moton “Energjia nuk është luks”, aktivistë të rinisë së PDK-së kanë protestuar duke bartur në duar nga një faturë të rrymës.
“Sot nuk kemi ardhur me pankarta. Kemi ardhur me një faturë. Një faturë që po e ngufat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1,000 euro të ardhura mujore, ka 1,085 euro shpenzime bazike. Pa luks. Pa pushime. Pa kursime. Vetëm bukë. Vetëm rrymë. Vetëm ngrohje. Vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, ka theksuar kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK), Trim Syla.
Protesta e së premtes është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.
Pas shqyrtimit të kërkesës së KESCO-s, ZRRE-ja pritet që në mars të marrë vendim nëse do të ketë rritje të tarifave të rrymës apo jo.