LAJMET E MBRËMJES

Thirrje për ZRRE-në e Qeverinë: Mos luani me durimin e popullit

Thirrje për ZRRE-në e Qeverinë: Mos luani me durimin e popullit

Foto: Driton Paçarada

Para zyrave të KEDS-it, ZRRES-së dhe Qeverisë, një numër qytetarësh kanë protestuar për të kundërshtuar paralajmërimet për rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Gjatë protestës u arrestua një person dhe ky veprim nxiti reagime te pjesëmarrësit

Dhjetëra qytetarë protestuan para zyrave të KEDS-it, pas kërkesës që KESCO-ja i ka bërë Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Protesta, e cila zgjati disa orë, u organizua nga një grup aktivistësh.

E qytetarë që morën pjesë në të mbajtën në duar pankarta me mesazhet: “Rryma nuk është luks”, “ZRRE kujt po i shërben” e “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”.

Ata u ankuan edhe për çmimin e tashëm.

“215 euro është fatura e para këtij muaji, unë jam pensionist na ka qitë ka 100 euro, meniher m’i ka marrë 115 euro. Po i ngrit faturat pa paralajmërim, sa ma shpejt me ik ky, është ma mirë për popull, edhe për shtet”, ka thënë protestuesi Beqir Hasi.

Ndërsa protestuesi tjetër, Sylejman Krasniqi, ka kritikuar institucionet që nuk kanë po bëjnë mjaftueshëm për të siguruar mirëqenie qytetare.

“M’u ndërpre ngritja e rrymës, ne nuk po kemi as me ble bukë, se nuk interesohet Qeveria për asgjë”, ka thënë Krasniqi.

Protesta qe e qetë deri në momentin kur u hodh tym i kuq në drejtim të objektit të KEDS-it, e pas të cilit veprim një person u arrestua dhe u shoqërua në Polici.

Veprimi ngjalli reagim.

“Merre me mend e kapin prindin e tyre e çojnë që kërkon me ua liru rrymën. Unë plak 70 vjet do t’i prij këtij populli për ta përmbys këtë Qeveri, Qeveri hajn, kriminel”, ka thënë njëri nga protestuesit.

Aktivisti Erbilin Ajdini paralajmëroi protesta masive nëse ZRRE-ja miraton kërkesën për rritjen e tarifave.

“Nuk mund të vazhdoni të na i faturoni neve dështimet dhe dëshirat e juaja për rritje, mbi trupat tonë. Tash e sa vjet nuk jeni në shërbimin tonë, jeni kundër nesh, jeni fajdexhinjtë tanë më të mëdhenj. Andaj tash e tutje edhe ne do t’iu dalim përballë, do t’iu përcjellim dhe do t’ju bojkotojmë deri kur ky institucion të kthehet në anën e popullit”, ka deklaruar Ajdini.

Ndonëse në numër të vogël, qytetarët protestën e vazhduan edhe para objektit të ZRRE-së, Stacionit të Policisë e më pas mësynë objektin e Qeverisë.

“Porosia ime kishte me qenë të mos luajnë shumë me durimin e popullit, më mirë le të dëgjojnë zërin e këtyre kaq sa jemi, krejt janë paqësor, asnjë nuk as armë”, është shprehur protestuesi Agron Morina.

Para objektit të Qeverisë qytetarët përfunduan protestën, e aty lanë disa mesazhe.

Protesta e së premtes është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.

Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë do të shqyrtohet nga ZRRE-ja dhe vendimin për tarifat pritet ta marrë në mars.