Në ditën e 1 Majit në Prishtinë kanë pasur protestë edhe aktivistë të Bllokut Anti-Kapitalist dhe Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist. Kjo protestë është përcjellë me tensione, të cilat kanë rezultuar me disa të arrestuar nga policia
Me pankartat “Për shoqëri të lirë dhe të barabartë”, “Ne punojmë, ata fitojnë” dhe “Pensionet të dinjitetshme”, kanë protestuar të premten për të drejtat e punëtorëve aktivistët e Bllokut Anti-Kapitalist.
Të mbledhur me rastin e 1 Majit, ata kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të objektit të Qeverisë në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPara tij, aktivistja Anita Mjeku ka thënë se punëtorët në Kosovë vazhdojnë të përballen me kushte të rënda pune dhe me humbje jetësh që “janë të parandalueshme”.
“Ndërkohë që ne e prodhojmë këtë pasuri edhe e mbajmë barrën kryesore të këtij sistemi, ne çdo ditë vdesim, lëndohemi, ngacmohemi. Mbi 140 punëtorë janë vrarë në vend të punës për këto vite, edhe po, janë vrasje se krejt këto vdekje kanë mujt me u parandalu. 141 njerëz. Hiç më larg se pardje ka vdekur një punëtor në Pejë, një ndërtimtar, një 19 vjeçar para një jave në Gjakovë, një tjetër në Shtime para dy jave, e para katër jave një 44 vjeçar në Ferizaj”, ka theksuar Mjeku.
Krahas për sigurinë në punë, ajo ka shprehur kritika edhe për pagat e punëtorëve. Mjeku ka theksuar se rritja e pagave nuk e përmirëson gjendjen e punëtorëve, pasi që inflacioni dhe çmimet janë rritur më shumë.
“Këndej na thonë që mirë është, ekonomia është rritë, rrogat janë rritë, bile edhe rroga minimale është rritë. Po ato statistika s’i kallëzojnë lëndimet, oraret e tejzgjatura, shtypjen edhe shfrytëzimin tonë nëpër punë. Bile edhe ato rroga minimale t’rritura, e që janë rritë në nivel i cili është kërku para dhjetë viteve, është asgjë në krahasim prej asaj qysh janë rritë çmimet nëpër markete, pompa, qiratë e banesave, barna, transporti, rryma e uji”, ka thënë ajo.
Në fund të protestës, Policia ka arrestuar të paktën katër pjesëmarrës. Tensionet kanë nisur pasi që disa protestues kanë refuzuar t’i identifikohen zyrtarëve policorë, me arsyetimin se janë duke e ushtruar të drejtën e tyre për tubim.
Sipas një përgjigjeje të shkurtër nga Policia, disa persona kanë refuzuar urdhrat e zyrtarëve dhe janë shoqëruar në stacion për identifikim.
E, në një reagim të organizatës që e ka thirrur protestën, thuhet se protestuesit janë liruar dhe se rastet janë referuar për gjykatë.
“Pas 9 vjetësh që Asambleja Antikapitaliste organizon protestën e 1 Majit, sivjet shteti ka vendosur të thirret në ligj edhe të arrestojë pjesëmarrës për kinse protestë ilegale... E pra na as nuk kemi kërkuar, e as s’kemi kërkuar asnjëherë leje për me dalë në rrugët e sheshet tona”, kanë thënë në “Asamblenë Antikapitaliste”.
Me rastin e 1 Majit, një aksion simbolik është zhvilluar edhe nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka bllokuar rrugën pranë Katedrales në Prishtinë, duke vlerësuar se klasa punëtore ndërton shtetin, por nuk përfiton prej tij, pasi “ai i shërben kapitalit publik dhe privat”.