Arbëri

Quni: Sfidat me VV-në nisën që kur bashkëqeverisja u ndërpre me kërkesën e Kurtit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka renditur arsyet pse partia e tij nuk mund ta bëjë qeverinë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se sfidat me LVV-në kanë nisur prej qeverisjes së kaluar nga dy partitë, e që sipas tij kulmoi me gjuhën e kryetarit të saj, Albin Kurti, ndaj partive të tjera pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Janë sfida që janë shtresuar, thuaj që nga koha kur ne kemi qeverisur së bashku. Kemi udhëhequr për periudhë të shkurtë deri kur kjo qeverisje ndërpritet me kërkesën e Kurtit, vendim i njëanshëm përkundër marrëveshjeve paraprake. Kjo është gjeneza (pse LDK nuk hyn në qeveri me VV-në). Përkundër marrëveshjeve, ka ndodhur shkarkimet e njëanshme, ka pasur përpjekje të mëdha nga LDK që të kapërcehen ato momente. Ne e kemi një përvojë jo të mirë dhe është e natyrshme që kur bëhet një kërkesë e radhës, ne i kemi parasysh përvojat e të kaluarës. Tjetër është sjellja e kryeministrit karshi partive tjera për çështje të ndryshme. Kur ne kemi ofruar zgjidhje, thjesht nuk jemi përfillë”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.

“Është dita e shpalljes së rezultateve ku ne si parti politike krahasohemi nga pala e kryeministrit me kafshë”, ka shtuar tutje.   

Quni ka përsëritur se propozimi i LDK-së për “qeveri të unitetit” është propozimi më i mirë i mundshëm në situatën aktuale kur deputetët tashmë për mbi 30 herë kanë dështuar në konstituimin e Kuvendit.