Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë larg një takimi të nivelit të lartë, të paralajmëruar nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas. Takimet e nivelit të lartë, Kosova mes të tjerash i pati kushtëzuar edhe me dorëzimin e kreut të grupit terrorist, Milan Radojçiq. E vënien e tij para drejtësisë, e ka përmendur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në takimin me Kallasin, të zhvilluar të enjten mbrëma
Synimi i përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për të ulur në tavolinë liderët e Kosovës dhe të Serbisë nuk ka marrë aprovimin e përfaqësuesve të ekzekutivit kosovar. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë larg mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë. Gërvalla tha se asnjëherë nuk kanë refuzuar dialogun por që nuk i shkelin parimet e vëna.
“Rikthimi në dialog nuk është i nevojshëm sepse dialogun ne nuk e kemi ndërpre asnjëherë. Në vazhdimësi Sorenseni ka qenë edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ka pasur takime të vazhdueshme me zv.kryeministrin Bislimin. Bisedat tona nuk janë ndalur asnjëherë prandaj nuk ka nevojë, nëse ajo thotë rikthimi në dialog ndoshta e ka fjalën për takime trelaterale, mirëpo jemi larg asaj. Serbia duhet të dëshmojë përkushtimin e saj në dialog, jo vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes së shkurtit 2023, por edhe përmes ekstradimit të Radoiçiqit. Në vazhdimësi Vuçiq iu jep premtime ndërkombëtare se do të arrestojë Radoiçiqi, mirëpo shkuan muaj e muaj madje edhe vite dhe s’ka lëvizje”, ka thënë Gërvalla, në një deklarim për media, pas dështimit të 20-të të konstituimit të Kuvendit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë, Donika Gërvalla ka thënë se nuk ka “asnjë pikë mirëkuptimi” për ata që kërkojnë lëvizje të mëtejme nga Kosova e nuk e ndëshkojnë Serbinë për sulmin e Banjskës.
“Ne asnjëherë nuk e kemi refuzuar dialogun, gjithmonë jemi treguar konstruktiv, por jemi treguar parimor. Ne nuk i shkelim parimet tona në dialog, mirëpo kërkojmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për normalizim të marrëdhënieve tona. Njohja e ndërsjellë është zgjidhja dhe prandaj punojmë që të gjejmë ma shumë përkrahje”, ka thënë Gërvalla të premten.
Takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e ka paralajmëruar Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas, një ditë më parë.
“Jam e gatshme të jap kontribut nga koha dhe energjia ime për këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve sepse është në interes të qytetarëve të Kosovës sikurse edhe të Serbisë. Kështu që kemi përfaqësuesin e ri të emëruar, zotëri Peter Sorensen dhe jemi ulur bashkërisht për të parë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë nuk ka funksionuar në këtë proces. Mendoj se gjëja e parë është të ulemi me të dyja palët, tash e kemi bërë ndaras, (të shohim) se si të ecim përpara me këtë proces. Marrëveshja e Ohrit është një fakt dhe duhet të zbatohet nga të dyja palët”, ka thënë Kallas, në konferencën për media të enjten, gjatë vizitës në Kosovë.
Takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, një vit më parë e ka kushtëzuar me disa veprime nga pala serbe. Në mesin e tyre edhe me ekstradimin e kreut të grupit terrorist, Milan Radoiçiq.
E dorëzimi i tij te institucionet e drejtësisë së Kosovës është përmendur nga Kurti, në takimin që të enjten mbrëma ka zhvilluar me Kallas.
“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Takime të nivelit të lartë, në mes të kryeministri në detyrë, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk janë zhvilluar që nga 14 shtatori i 2023-s, një javë para sulmit terrorist në Banjskë. Kurti edhe Vuçiqi, takime kanë zhvilluar ndaras me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.