Arbëri

Gërvalla: Jemi larg takimeve trilaterale në dialog

Donika Gërvalla në konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan

Foto: Alban Bujari

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se takimet trilaterale për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë larg. 

Pasi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se Kosova e Serbia duhet të rikthehen sa më shpejt në Bruksel për negociata, Gërvalla ka thënë se Kosova ka qenë gjithnjë në dialog e se nuk është larguar asnjëherë nga ai. 

“Rikthimi në dialog nuk është i nevojshëm sepse dialogun ne nuk e kemi ndërpre asnjëherë. Sorenseni ka qenë në Kosovë e Serbi. Ka pasur takime të vazhdueshme me Bislimin. Nëse ajo thotë rikthimi në dialog ndoshta e ka fjalën për takime trilaterale, mirëpo jemi larg asaj. Serbia duhet të dëshmojë përkushtimin e saj në dialog, jo vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes së shkurtit 2023, por edhe përmes ekstradimit të Radoiçiqit. Në vazhdimësi Vuçiq iu jep premtime se do të arrestojë Radoiçiqi, mirëpo shkuan muaj e muaj dhe vit dhe s’ka lëvizje. Nuk kam asnjë pikë mirëkuptim për të gjithë ata që kërkojnë që Kosova të bëjë lëvizje të mëtejme nëse s’janë të gatshëm të angazhohen që një kriminel si Radoiçiqi të shëtitet i lirë në Serbi dhe s’ka asnjë konsekuencë për Serbinë”, ka thënë ajo të premten në konferencë pas dështimit për të 20-n herë të konstituimit të Kuvendit.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kallas, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta tejkalojnë të kaluarën dhe të punojnë për të ardhme të përbashkët.

“I ftoj përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës të vinë në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur dhe të diskutojnë për hapat konkret përpara”, ka thënë ajo të enjten.