Arbëri

Qeveria ndan 4 mln euro për policat e sigurimit të mërgimtarëve e mbi 625 mijë për arsimin në Luginë

Qeveria e Kosovës - 27 qershor, 2025

Foto: Driton Paçarada

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka marrë vendim që të ndajë 4 milionë euro për mbulim të kostos së policave të sigurimit për mërgimtarët që vinë në Kosovë për pushime. 

Subvencionimi i policave do të nisë nga data 1 korrik. 

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se mjetet do të merren nga nënprogrami i pakos për ringjallje ekonomike.

Qeveria gjithashtu ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e 625 mijë e 400 eurove për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.  Sipas Muratit ato të të ndahen në formë të bursave për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka shkruar më vonë në Facebook se gjithsej do të mbështeten 756 studentë shqiptarë që po mësojnë sot në 17 qytete – 407 në Prishtinë, 110 në Tiranë, dhjetëra në Tetovë, Shkup, Stamboll e më tej – të shpërndarë në 56 drejtime studimi të gjithë nga Lugina e Preshevës. 

"Këto mjete që i ndamë sot do të përdoren edhe për lobim, për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve të Luginës. Po i dokumentojmë shkeljet sistematike të aparatit shtetëror serb dhe artikulojmë ato më zëshëm se kurrë më parë edhe ndërkombëtarisht", ka shkruar ai. 


Qeveria aprovon kërkesën për huamarrje prej 10 milionë eurosh për “Infrakosin” 

Qeveria ka miratuar edhe një sërë vendimesh të tjera. Ndër to, miratoi vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e disa projekteve të Komunës së Hanit të Elezit. Me këtë vendim u finalizua procesi i shpronësimit për realizimin projekteve: Rindërtimi i Fushës së Futbollit; Rregullimi i pronësisë për Fabrikën e Ujit; Ndërtimi i Qendrës për Kulturë dhe Rini; dhe Zgjerimi i rrugës pranë Terminalit Doganor.

Ka aprovuar kërkesën për huamarrje deri në 10,000,000 Euro për “Infrakos Sh. A” për qëllime të likuiditeti të ndërmarrjes.

Miratoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme Pasuri Shoqërore “Kombinati i Drurit”, Ferizaj, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit “FLOËS”, i financuar nga Banka Botërore dhe Ndërmarrja Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava.

Emëroi Komitetin Ndërministror për shëndetin njerëzor, shtazor mjedisor “Një shëndet”. Aprovoi kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në Ndërmarrjen Shoqërore “Çeliku”, në shumë prej 6,405 Euro. Ka rialokuar mjete në vlerë prej 50,000 Euro për projekte kapitale në përputhje me marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Kryetari i Komunës së Pejës. Projekti ka të bëjë lidhur me ndërtimin e ndriçimit publik në fshatin Nakell dhe fshatin Gorazhdec, të komunës së Pejës.

Po ashtu miratoi raportin për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik për vitin 2024. Nismën për lidhjen e protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Lituanisë për Ripranimin e Personave pa Autorizim, si dhe Draftin e Planit Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2026. 

Kabineti qeveritar emëroi edhe Komisionin Ad hoc të pranimit për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë.