Arbëri

Pushtet dhe opozitë e duan Malishevën në rajonin e Prizrenit

Qeveria paraprake e Malishevës, e drejtuar nga ish-kryetari Ragip Begaj i Nismës Socialdemokrate, në kohën sa kryeministër ishte Avdullah Hoti, kishte ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, por pas ndërrimit të Qeverisë iniciativa ka stagnuar

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, është i vendosur që çështjen e kalimit të kësaj komune në rajonin e Prizrenit ta shtyjë përpara.

Qeveria paraprake e Malishevës, e drejtuar nga ish-kryetari Ragip Begaj i Nismës Socialdemokrate, në kohën sa kryeministër ishte Avdullah Hoti, kishte ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, por pas ndërrimit të Qeverisë iniciativa ka stagnuar.

Tabelat e automjeteve të malishevasve, Ministria e Brendshme e drejtuar nga ministri i LDK-së, Agim Veliu, kishte marrë vendim që nga 07(Gjakovë) të kalonin në 04 (Prizren). Ndërkohë edhe shërbimet për kategoritë e dala nga lufta patën kaluar nga Gjakova në Prizren.

Por vetëm kaq. Komuna e Malishevës nga atëherë e la pezull këtë çështje.

"Komuna e Malishevës i ka të gjitha parakushtet për të qenë me rajonin e Prizrenit, i kemi të gjitha lidhjet më të lehta me Prizrenin, lidhjet tradicionale me këtë rajon, lidhjet fizike përmes rrugëve, shumë më të lehta e më të shpejta përmes autostradës", ka arsyetuar qëndrimin e tij kryetari aktual i Malishevës, Ekrem Kastrati.

Ai është zotuar se këtë çështje nuk do ta lërë në rrafshin e vullnetit.

"Çështjen do ta shtyjmë përpara, do të kontaktojmë me nivelin qendror dhe të shohim nëse shërbimet për qytetarët do të barten në rajonin e Prizrenit, ministri për ministri, apo me një vendim obligues nga Qeveria e Kosovës, vullneti i qytetarëve të Malishevës duhet të respektohet", ka thënë Kastrati për KOHËN.

Dhe, derisa në shumicën e gjërave pushteti dhe opozita të Malishevës janë të ndarë, në çështjen e përkatësisë rajonale për komunën e tyre janë të njëzëshëm: Të gjithë e duan Malishevën në rajonin e Prizrenit.

Bajrush Hoti, kryetar i Degës së LDK-së në Malishevë, ka thënë për KOHËN të martën se pikërisht ai dhe dega që e drejton e kishin ndërmarrë iniciativën për ritransferim të Komunës së Malishevës në rajonin e Prizrenit. Në kërkesën e Bajrush Hotit dhe të Degës së LDK-së drejtuar ish-kryeministrit Avdullah Hoti, më 14 tetor 2020, ndër të tjera thuhej se edhe kur Kosova njihej si vilajet, Malisheva i takonte rajonit të Prizrenit.

"Për të shkuar në Gjakovë një qytetar i Malishevës për një shërbim është tepër e mundimshme, pasi që infrastruktura rrugore e vështirëson shumë rrugëtimin e qytetarëve, pasi nuk ka as linjë direkte të autobusit", ishte një arsyetim tjetër i kreut të Degës së LDK-së për kryeministrin që atë kohë vinte nga partia e tij dhe që kishte rezultuar me sukses të pjesshëm.

Hoti ka thënë këtë të marte për KOHËN se kërkon nga pushteti komunal i Malishevës ta shtyjë këtë çështje përpara, duke u zotuar se do ta ketë mbështetjen e plotë të Degës së LDK-së.

Edhe Halit Zogaj nga Dega e PDK-së në Malishevë ka thënë se kjo parti mbështet kalimin e Malishevës në rajonin e Prizrenit nga ai i Gjakovës.

"Ne jemi që Malisheva të kalojë në rajonin e Prizrenit, është edhe vullneti qytetar, edhe i joni si subjekt", ka thënë Zogaj.

Të njëjtin qëndrim me kolegët opozitarë ndan edhe Veton Zogaj nga Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Malishevë.

"Si Lëvizje Vetëvendosje edhe në të kaluarën kemi qenë kundër mënyrës qysh jemi trajtuar si komunë, ku një pjesë e shërbimeve administrative kanë qenë nën rajonin e Prizrenit, e një pjesë me atë të Gjakovës", ka thënë Zogaj.

"Malisheva që nga themelimi si komunë ka qenë me rajonin e Prizrenit, pastaj lojërat politike në të kaluarën bënë që shërbimet administrative të kalojnë në Gjakovë dhe kjo vetëm sa e dëmtoi xhepin e qytetarëve", ka tërhequr vëmendjen ai.

"Ne si Lëvizje Vetëvendosje mendojmë që të gjitha shërbimet administrative që na përkasin si komunë , e që ligji e përcakton qartë që duhet të funksionojmë në bazë të ndarjes rajonale, duhet të kalojnë në rajonin e Prizrenit, për të vetmin qëllim, uljen e kostos së shpenzimeve për qytetarët", ka spikatur Zogaj.

KOHA ka përcjellë pyetje rreth kësaj teme edhe për kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, por ai nuk ka qenë i qasshëm.