Arbëri

LDK-ja e Malishevës e gatshme për koalicion në balotazh, pret ofertën më serioze

Malishevë, 19 tetor - Gara zgjedhore për kryetar komune në Malishevë ka shkuar në balotazh dhe faktor kyç për rezultatin në raundin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK).

Kjo parti është renditur e treta, me një përqindje të vogël përpara të katërtës, Vetëvendosjes. Derisa kandidati për kryetar i LVV-së, Alban Krasniqi ka dalë me thirrje publike për bojkotimin e balotazhit nga simpatizantët e Vetëvendosjes, shpresat e dy partive që shkojnë në balotazh, Nismës Socialdemokrate dhe PDK-së janë tek votat e LDK-së dhe votueseve të saj.

KOHA të martën e ka pyetur kryetarin e degës së LDK-së që ishte edhe kandidat i kësaj parite për kryetar komune, Bajrush Hotin, nëse ai dhe partia e tij janë përcaktuar për koalicion me ndonjërën prej partive që është kualifikuar për raundin e dytë, dhe ai ka thënë se deri tani nuk ka ndonjë qëndrim apo vendim për këta.

Por ai ka bërë me dije se edhe Nisma edhe PDK i janë ofruar LDK-së për koalicion, përmes individëve.

"Nuk kanë bërë ndonjë ofertë zyrtare por përmes njerëzve të tyre na kanë ofruar koalicion për raundin e dytë, edhe Nisma edhe PDK”, ka thënë Hoti.

"Ne për momentin nuk kemi ndonjë qëndrim apo vendim rreth kësaj teme, para se të marrim vendim do të konsultohemi mirë me zyrtarët dhe simpatizantët tanë në Malishevë, por edhe me kryesinë qendrore në Prishtinë", ka theksuar ai. "Një parakusht i yni për koalicion është që partia e cila e dëshiron mbështetjen tonë duhet të realizojë një pjesë të programit tonë që e kishim për këto zgjedhje. Përparësi do të ketë partia që prezanton ofertë më serioze", ka deklaruar Hoti i LDK-së. I pyetur nëse dega e LDK-së është më e afërt me ndonjërën nga dy partitë që kanë shkuar në balotazh, Hoti ka thënë se jo.

"Për ne bash asgjë nuk ndryshojnë Nisma dhe PDK, të njëjta janë, varet vetëm nga ajo se cila e ka ofertën më të favorshme dhe më serioze për ne", ka spikatur Hoti.