Zgjedhjet lokale

PDK-LDK, aleanca më e shpeshtë në balotazh

Në balotazhin për kryetar të komunave që do të mbahet të dielën, katër partitë më të mëdha shqiptare kanë zyrtarizuar 13 koalicione. Aleanca më e shpeshtë është ajo mes PDK-së dhe LDK-së. Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në balotazh në 12 komuna, LDK-ja në nëntë, PDK-ja në gjashtë dhe AAK-ja në pesë komuna

Trembëdhjetë koalicione janë zyrtarizuar mes subjekteve politike deri të hënën, ditën kur ka nisur fushata për rundin e dytë të zgjedhjeve për 17 kryetar të komunave. 

Mbështetje të ndërsjellë më së shpeshti deri më tani i kanë dhënë njëra-tjetrës PDK-ja dhe LDK-ja, në katër komuna, ndërsa numër i barabartë i marrëveshjeve nga tri sosh i kanë AAK-ja me LDK-në dhe LVV-në. 

PDK-ja e mbështet Arbër Ismailin e LDK-së në Gjilan dhe Besnik Osmanin Fushë- Kosovë, ndërsa LDK-ja i mbështet kandidatët e PDK-së: Shaqir Totajn për Prizren dhe Arian Tahirin në Mitrovicë të Jugut. 

Derisa PDK-ja shihet si përcaktuese për pushtetin në Kuvendin Komunal në Prishtinë, ajo nuk ka i ka dhënë përkrahje zyrtarisht as Përparim Ramës së LDK-së e as Hajrullah Çekut të Vetëvendosjes.
Në Mitrovicë, PDK-ja ka lidhur koalicion me LDK-në, AAK-në dhe partinë turke KDTP. 

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, në dy postime në Facebook ka thënë se marrëveshjet e koalicionit me LDK-në dhe AAK-në janë premtim për qytetin e Mitrovicës. 
Në Prizren, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ka zyrtarizuar marrëveshjen me LDK-në, të cilën e ka quajtur koalicion për bashkëqeverisje. 

E Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Demokratik që drejtohet nga Zafir Berisha. Po ashtu ka arritur marrëveshje me AAK-në, NDS-në e Emilija Rexhepit dhe me Guxo. 

Vetëvendosje ka hyrë në kombinim tri herë me AAK-në. 

Kombinimi më i rrallë mes partive të mëdha është LVV-ja me dy partitë e tjera më të mëdha LDK-në dhe PDK-në. 

Koalicion me PDK-në ka bërë VV-ja në Dragash, ndërsa në Vushtrri ka nënshkruar marrëveshje me LDK-në, porse kryesia qendrore e kësaj partie vazhdon ta kontestojë këtë marrëveshje. 

Një koalicion, që ende nuk është bërë zyrtar mes AAK-së dhe LDK-së, e ka paralajmëruar kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, Zenun Elezaj.

Ai ka thënë se kanë koalicion parimor dhe se e gjitha që i ka mbetur është që të definohen detajet, por kjo nuk është konfirmuar e as mohuar nga drejtuesit e LDK-së në këtë komunë.

Raportime për koalicionet mes katër partive të mëdha nuk ka pasur për komunat e Pejës, Vitisë, Kaçanikut, Suharekës dhe Rahovecit. 

Balotazhi do të zhvillohet në 18 komuna. Në 21 komuna kryetarët janë zgjedhur qysh në rundin e parë, më 12 tetor.  

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në balotazh në 12 komuna. Në dy prej tyre u rendit e para, ndërsa në 10 komuna, kandidatët e LVV-së për kryetarë janë të dytët me vota.

Në balotazh do të garojë në nëntë komuna Lidhja Demokratike e Kosovës. Në gjashtë komuna, ajo u radhit e para, ndërsa në tri të tjera e dyta.

Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para, ndërsa në dy të tjera, e dyta.

Në pesë komuna do të garojë në balotazh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku në katër u radhit e para, ndërsa në një tjetër është e dyta.