Me përfundimin e së enjtes mbyllet afati për deklarim të partive për pjesëmarrje apo jo në zgjedhje. Deri pasditen e së enjtes, 20 parti kanë konfirmuar se do t’i hyjnë garës si të vetme, mes tyre edhe LDK-ja e AAK-ja. E Vetëvendosja dhe PDK-ja ende nuk kanë bërë deklarimin. Gjatë ditës, liderë partiakë kanë prezantuar edhe prurje që do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë.
Në mesnatë përfundon afati për deklarimin e partive politike për pjesëmarrjen si të vetme apo koalicione në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Nga hapja e këtij afati më 1 maj e deri të enjten pasdite, për pjesëmarrje në zgjedhje kanë njoftuar 20 parti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri më tani KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike nuk e kanë bërë ende deklarimin në KQZ dhe as nuk kanë treguar nëse do të jenë në koalicione. Ndryshe nga to kanë vepruar Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që do të garojnë të vetme.
Për dallim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, garës për zgjedhjet e 7 qershorit do t’i hyjë edhe Partia Socialdemokrat. E, Nisma Socialdemokrate nuk është deklaruar ende.
E nga gara kanë hequr dorë 5 subjekte politike: Partia Demokratike e Unitetit, Balli Kombëtar, Lëvizja Qytetare Vatra, Bashkimi për Ndryshim Anamorava dhe Partia e Drejtësisë.
Ndërkaq, të shtunën pritet të vendoset nëse ish-presidentja Vjosa Osmani do t’i bashkohet listës së Lidhjes Demokratike, parti e cila në 2020-n e kishte shkarkuar nga pozitat drejtuese. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dy ditë më parë deklaroi se janë dakorduar me Osmanin për garim të përbashkët.
E të enjten, Osmani ka njoftuar se i është bashkuar ish-deputetja e Partisë Guxo që ishte pjesë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci.
Ndërkaq, Partisë Demokratike i është bashkuar Aida Dërguti, e cila ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje deri në vitin 2017, e më pas edhe e Partisë Socialdemokrate.
“Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë”, ka shkruar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Partitë politike i kanë edhe 5 ditë afat për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë që do t’i nënshtrohen garës së 7 qershorit.
E një ditë pas hapjes së afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës është intensifikuar edhe fushata, që qëllim ka regjistrimin sa më të madh.
“Ju ftoj të regjistroheni dhe bëheni pjesë e vendimeve për Kosovën. Sepse Kosova është edhe e juaja. Për ne nuk jeni vetëm mërgatë, krenari për ne, pjesë e pandashme e krenarisë sonë”, ka thënë Hamza.
“Duke u regjistruar ju i ruani lidhjet me atdheun, me rrënjët tuaja dhe tonat. Shfrytëzoni të drejtën, regjistrohuni. Mos e harroni Kosovën, Kosova ju do”, ka deklaruar Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
Anëtarja e Vetëvendosjes në KQZ, Violeta Emini-Salihu, ka njoftuar se deri në mesditën e së enjtes janë regjistruar mbi 14 mijë aplikime për votim nga mërgata.