Arbëri

Kryetari i ri i Malishevës synon një koalicion paszgjedhor për të siguruar një pushtet stabil

Kryetari i ri i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati po e synon një koalicion paszgjedhor në këtë komunë për të pasur një pushtet stabil. Kjo për faktin se partia e tij, Nisma Socialdemokrate nuk e ka shumicën në kuvend dhe çdo vendim i tij mund të përballet me kundërshtimin e opozitës. Nisma Socialdemokrate në Malishevë sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ për Kuvendet Komunale, i ka siguruar 10 ulëse në kuvendin me 31 anëtarë, që do të thotë se ka 6 anëtarë më pak se sa nevojiten për një shumicë të thjeshtë. Pas Nismës, PDK ka siguruar 8 ulëse, LDK, 6, LVV, 5 dhe AAK, 2. Se me kënd po mendon të bëj koalicion paszgjedhor, kryetari Kastrati nuk ka mundur të thotë prerazi.

"Nuk e di për momentin me cilën parti, por duhet parë se me cilën prej tyre na përputhen progamet dhe synimet, në mënyrë që të kemi një pushtet stabil në përmbushjen e objektivave tona", ka thënë Kastrati në një bisedë për KOHËN.

Ai ka dhënë një përgjigje edhe se si do të veprojë nëse nuk arrin marrëveshje për koalicion paszgjedhor.

"Besoj që do të arrijmë një marrëveshje por nëse nuk arrijmë do të punojë me sinqeritet e konstruktivitet dhe do të kërkojë nga partitë që janë pjesë e legjislativit t'i përkrahin vendimet që janë në interes të qytetarëve të Malishevës", është shprehur Kastrati.

Kryetari i ri i Malishevës, ka folur edhe për formimin e qeverisë së re komunale. Ai ka thënë se nuk do ta ndryshojë numrin e drejtorive aktuale, por ka lënë të hapur mundësinë e ndërrimit të drejtorëve aktual ndonëse janë të së njëjtës parti.

"Do të vlerësojmë performancën e drejtorëve të deritashëm dhe do të vendosim, pastaj këtu mund të ketë një ndikim edhe arritja eventuale e një koalicioni paszgjedhor për të cilin folëm", ka potencuar Kastrati. I pyetur se sa femra mendon t'i ketë në kabinetin e ri qeveritar, Kastrati nuk ka mundur të thotë ndonjë numër.

"Varet nga profilet, nga kapacitetet dhe elemente të tjera".

Kastrati ka folur edhe për objektivat dhe prioritetet e tij si kryetar komune.

"Malisheva urbane, sigurimi i ujit të pijes, e kanalizimeve dhe infrastrukturës së përgjithshme për qytetarët do të jenë objektivat kryesore, thjeshtë zbatimi i programit të cilin e kam prezantuar dhe me të cilin kam fituar", ka thënë Kastrati, duke shtuar se "ky program dhe puna e mirë e Qeverisë Begaj" kanë qenë ato që kanë pasur ndikim vendimtar në fitoren e tij.

I pyetur se sa e sheh të zbatueshëm këtë program nga pozicioni i ri kur tani e ka fituar garën, Kastrati është shprehur:

"Po, njëjtë e shoh edhe tani, sepse edhe gjatë fushatës nuk kam dhënë premtime megalomane e të pazbatueshme".

Ai nuk i shmanget as komentimit të akuzave që ia kishin bërë kundërkandidat gjatë fushatës duke thënë se "Kastrati nuk do të jetë kryetar real, por vetëm zbatues i vendimeve të Fatmir Limajt dhe të të tjerëve".

"Akuzat dhe atakimet e rivalëve të mi i ka vlerësuar duke i hedhur poshtë më së miri votuesi i Malishevës me votën e tij. Unë do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, do të jem autonom në vendime dhe veprime, në kuadër të kompetencave që ka kryetari i komunës", është shprehur ai.

Kastrati në fund e ka vlerësuar edhe aktin e urimit që ka marrë nga kundërkandidati i tij në balotazh Isni Kilaj dhe tërheqjen e këtij të fundit nga jeta politike pas humbjes.

"E vlerësojë urimin e tij si një akt demokratik, ndërkaq rreth tërheqjes nga jeta politike vetëm mund të them i uroj shëndet dhe sukses në jetën e përditshme", është shprehur Kastrati.

Ekrem Kastrati është nga fshati Tyrjakë i Malishevës. Është 51 vjeçar dhe me profesion është jurist. Ka qenë i burgosur politik. Është burgosur në vitin 1997 si pjesëtar i UÇK-së dhe është dënuar më pas me 10 vjet burg. Ka qenë përjetues dhe i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës. Ka kaluar nëpër shumë burgje të Serbisë dhe është liruar pas luftës falë presionit të bashkësisë ndërkombëtare mbi Serbinë. Pas luftës ka ushtruar funksione të ndryshme. Ka qenë drejtor i burimeve njerëzore në QKUK, e në PTK. Mandej ka qenë drejtor në Qeverinë Begaj në mandatin e parë, pastaj sekretar permanent në MASHTK dhe së fundi kryeinspektor i Punës në MPMS.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për raundin e dytë për kryetar komune që u zhvillua më 14 nëntor, Ekrem Kastrati duke e përfaqësuar Nismën Socialdemokrate ka fituar 10 mijë e 394 vota, apo 53.19 përqind, ndërsa kundërkandidati i tij Isni Kilaj nga PDK ka marrë 9 mijë e 147 vota, apo 46.81 përqind të trupës votuese të Malishevës.