Arbëri

Kosova e SHBA-ja me marrëveshje për bashkëpunim në siguri e komunikim

John Philips dhe Bashkim Jashari

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërveprueshmëri dhe siguri në komunikim.

Marrëveshja u nënshkrua të martën ndërmjet komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari dhe gjeneralit amerikan, John Philips, ku u tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë që mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta.

Gjithashtu, marrëveshja përfshin edhe shkëmbin e informacioneve kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK-ja.

Jashari dhe Philips diskutuan edhe për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit.

“Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shkruar në Facebook se kjo marrëveshje është si rezultat i një marrveshjeje të arritur në mes tij dhe ish-ambasadorit Jeffrey Hovenier.

“Më 24 gusht të vitit 2023, bashkë me atëherë ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier nënshkruam marrëveshjen mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, duke e fuqizuar kështu edhe më shumë bazën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fushën e sigurisë. Sot, ajo marrëveshje po konkretizohet edhe më tej nga Forca jonë e Sigurisë dhe J6 e Komandës Evropiane të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një marrëveshje të veçantë për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim. E përgëzoj Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për këtë arritje të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar ai.