Carlo Ancelotti e ka vlerësuar të shkëlqyer periudhën te Real Madridi. Tekniku italian do të largohet pas pak ditësh nga Real Madridi, ndërsa më 26 maj e fillon punën si selektor i Brazilit.
Ancelotti foli të martën në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Mallorcan, që zhvillohet të mërkurën mbrëma. Madridi thuajse ka humbur garën për titull me Barcelonën, ndërsa Ancelotti në konferencë më shumë foli për të ardhmen.
Federata e Futbollit e Brazilit të hënën e konfirmoi Ancelottin si selektor të ri.
“Do të jem selektor i Brazilit nga 26 maji. Është një sfidë serioze, por jam ende trajner i Madridit. Dua të përfundoj mirë këtë fazë të aventurës fantastike. Me duhet të mendoj për ditët që më kanë mbetur këtu. Për shkak të respektit ndaj klubit dhe tifozëve jam i fokusuar në fazën finale të kësaj aventure spektakolare”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp.
Ai nuk ka dashur të tregojë se kur e kuptoi që nuk do të jetë më trajner i Madridit. Ka thënë se është shumë personale ajo që diskutoi me klubin.
“Futbolli, si çdo gjë në jetë, është një aventurë që ka fillim dhe fund. Gjithnjë e kam në mendje se një ditë do të përfundojë. Një periudhë e shkëlqyer po përfundon. Kam pasur kohë të shkëlqyer. Por si çdo gjë në jetë, vjen koha për largim. Kam pasur kohë të mirë dhe dua ta përfundojë mirë. Më 26 maj do të flas për sfidën tjetër. Asnjëherë nuk kam pasur problem me klubin dhe asnjëherë nuk do të kem. Është klub që e mbaj në zemër dhe do ta mbaj aty edhe pasi të përfundojë kjo aventurë. Po përfundon pas shumë vjetësh gjatë të cilëve kemi fituar shumë trofe. Me kujtime fantastike që do t’i mbaj gjithë jetën”, ka shtuar Ancelotti.
Ai ka thënë se do të firmoste menjëherë nëse në ditën kur mori drejtimin e Real Madridit do t’i thoshin që do të fitonte 11 trofe për katër vjet. Ka thënë se ky edicion nuk shkoi mirë për shumë arsye, por se në përgjithësi ishte një periudhë fantastike.
Xabi Alonso do ta zëvendësojë Ancelottin.
“Nuk kam asnjë këshillë për të. Ai i ka të gjitha që i duhen që të jetë trajner i madh në të ardhmen”, ka thënë tekniku italian.
Ancelotti ka thënë se momentalisht është i fokusuar që ta përgatisë skuadrën për ndeshjet e mbetura. Dhe pas 26 majit do të mendojë për sfidën që e pret me Brazilin.
Një gazetar i ka thënë Ancelottit që nuk i duket i lumtur.
“Jam shumë i lumtur. Shumë i lumtur. Nëse nuk do të duhej të mbaja konferencë për shtyp, do të ishte një ditë fantastike, pasi në konferencë duhet të shpjegoj gjëra që nuk dua t’i shpjegoj pasi e kam fanellën e Madridit deri më 25 maj. E respektoj këtë fanellë shumë. Dua ta respektoj deri në momentin e fundit. Kam dashur të fitoj La Ligan, Ligën e Kampionëve, por jam shumë i lumtur”.
Ancelotti asnjëherë nuk ka ndier që Real Madridi nuk e dëshiron. Thotë se Real Madridi e do.
“Edhe pse do të largohem më 25 maj, Real Madridi më do. Gjithnjë më ka dashur. Nuk do të mund të isha trajner i Real Madridit gjithë jetën. Po i vjen fundi për shumë arsye. Ndoshta klubit i duhet diçka e re. Nuk e bëj të madhe këtë. Shumë falënderime për klubin. Dhe vazhdim të mbarë. Do të jem tifoz i Real Madridit gjithë jetën. Është një periudhë që përfundon. Spektakolare. Asnjëherë nuk kam menduar se do të jem në gjendje ta drejtoj Real Madridin për gjashtë vjet”, ka vazhduar italiani.
Ai thotë se ishte koha për të bërë ndryshim. Dhe se këtë e pranon shumë natyrshëm.