Shefi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Malishevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Veton Zogaj e ka quajtur shqetësuese vonesën e zgjedhjes së drejtorëve të drejtorive komunale nga kryetari Ekrem Kastrati.
Kanë kaluar afro dy muaj nga mbajtja e balotazhit dhe 42 ditë nga dita e dhënies së betimit nga kryetari Kastrati dhe ai ende nuk ka arritur të përcaktohet për emrat të cilët do t'i udhëheqin drejtoritë.
"Pasojat e mosemërimit të drejtorëve po i vërejmë në kualitetin e shërbimeve publike dhe ankesat e qytetarëve për mosfunksionimin si duhet të shërbimeve komunale, shërbimeve shëndetësore e sidomos në fushën e arsimit", ka thënë Zogaj. “Çdo vonesë e kryetarit mund të konsiderohet si paaftësi për të kompletuar ekzekutivin dhe po ashtu edhe si arrogancë ndaj partiakëve të vetë për t'i mbajtur nën presion që të vijojnë servilizmin e tyre ndaj parisë së partisë", është shprehur ai.
Labinot Gashi, nga LDK-ja ndërkaq ka shfaqur bindjen se vonesa në emërimin e drejtorëve ka të bëjë "me shumicën e kontrabanduar në Kuvend".
Kujtojmë se Nisma Socialdmokrate si parti fituese e zgjedhjeve lokale në Malishevë ka arritur që pa koalicion paszgjedhor me ndonjërën nga partitë t'i sigurojë votat individuale të 6 anëtarëve të Kuvendit Komunal, nga LDK (3 anëtarë), AAK (2) dhe LVV (1). Këto vota bëjnë që LDK-ja dhe përgjithësisht opozita e Malishevës mazhorancën e krijuar ta quaj "shumicë të kontrabanduar".
"Tash si duket ka probleme dhe pakënaqësi edhe brenda tyre dhe kanë vështirësi në ndarjen e pushtetit, sepse janë lidhë me individë, thjeshtë për interesa personale, e jo të qytetarëve", ka thënë për KOHËN shefi i anëtarëve të Kuvendit nga radhët e LDK-së, Gashi.
“Nisma ka shkaktuar përçarje të Kuvendit dhe nuk dihet kush, me kë është, të paktën zyrtarisht, kjo është parë edhe në seancën e jashtëligjshme të thirrur në buxhet. NISMA si parti është e zonja vetëm për premtime parazgjedhore, ndërsa pas zgjedhjeve këto premtime po dalin të jenë premtime të parëndësishme në krahasim me premtimet që ua ka bërë individëve të partisë dhe disa individëve të subjekteve tjera për ndarjen e pozitave udhëheqëse", ka thënë në ndërkohë për KOHËN nënkryetari i degës së PDK-së, Halit Zogaj. “Zgjedhja e mosbashkëpunimit me partitë tjera shumicë të Kuvendit, tregon edhe njëherë mentalitetin përjashtues dhe regresiv të qeverisjes së Nismës", ka shtuar ai.
Vonesa në formimin e qeverisë lokale sipas Zogajt flet edhe për "një qasje jo serioze, që tregon mungesë të gatishmërisë dhe të përgjegjësisë që ua kanë dhënë qytetarët për të qeverisur dhe ofruar shërbime për mandatin e tretë për Malishevën dhe qytetarët e saj".
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati të mërkurën ka thënë për KOHËN se është në fund të konsultimeve për zgjedhjen e drejtorëve. Ndër të tjerë ai ka bërë me dije se për zgjedhjen e drejtorëve po konsultohet edhe me 6 anëtarët e Kuvendit nga partitë tjera të cilët po e mbështesin Nismën me votë në Kuvend.
Fundi i kësaj jave sipas Kastratit do të jetë edhe fundi i konsultimeve nga të cilat do të dalin emrat e drejtorëve komunal.
Por Kastrati ka thënë se nuk ka asnjë neglizhencë, apo mungesë shërbimesh për qytetarët, shkaku i kësaj.
"Jo vetëm që nuk ka neglizhencë e mungesë shërbimesh, por këto ditë kur ende i kemi mërgimtarët këndej, vetëm sa është rritur volumi dhe kualiteti i shërbimeve, asnjë ankesë të vetme nuk e kemi pas nga asnjë qytetar për shërbimet që marrin nga administrata komunale", ka thënë Kastrati.