Arbëri

Kuvendi i Malishevës e miraton buxhetin, opozita e quan "buxhet të kontrabanduar"

Kuvendi Komunal i Malishevas në një seancë urgjente e ka miratuar të enjten buxhetin komunal për vitin 2022, pa praninë e opozitës në sallën e mbledhjeve. Pro buxhetit kanë votuar 16 anëtarë të Kuvendit Komunal, 10 të Nismës Socialdemokrate dhe 6 nga partitë tjera të cilët e përkrahën Nismës me votë që nga zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, 3 nga LDK, 2 nga AAK dhe një nga LVV (Lista Guxo).

Kryetari i Komunës së Malishevës, gjatë prezantimit të buxhetit për 2022 ka bërë me dije se kjo komunë për këtë vit ka një buxhet prej 15 milionë, e 655 mijë e 757 euro, nga të cilat 4 milionë e 379 euro për investime kapitale.

Ai i ka ftuar anëtarët e KK-së që ta aprovojnë këtë buxhet në mënyrë që "puna në interes të qytetarëve të Malishevës të nisë sa më parë".

Anëtari i KK-së nga Nisma, Avdi Morina, ka tërhequr vëmendjen se buxheti është hartuar nga ish-pushteti komunal dhe sipas tij buxheti përfshinë shumicën e kërkesave të qytetarëve me projekte.

"Fokusi i këtij buxheti do të jetë premtimi kryesor i Nismës, Malisheva urbane", ka theksuar ai.

Nebih Bibaj nga PDK-ja ka kritikuar kryetarin e komunës dhe partinë në pushtet, Nismën për trajtimin e buxhetit ne seancë urgjente. Ai ka thënë se draft-buxheti i komunës ka shkuar në adresë të anëtarëve të Kuvendit vetëm një ditë më parë dhe ka shfaqur bindjen se askush nga anëtarët e legjislativit "s'ka pas mundësi as ta lexojë atë e lëre më ta analizojë". Bibaj ka kërkuar të shtyhet kjo seancë për 7 ditë në mënyrë që anëtarët e Kuvendit të kenë mundësi ta analizojnë draftin dhe të japin kontributin e tyre në seancën e rregullt që sipas tij duhet ftuar. Bibaj por edhe disa anëtarë të tjerë, kanë tërhequr vëmendjen se në projekt-buxhetin që e kanë shikuar përciptazi kanë vërejtur edhe projekte të kryera.

Edhe Veton Zogaj nga LVV-ja ka kërkuar shtyrjen e seancës që të mund të bëhen analiza dhe të jepet kontributi i opozitës për buxhetin. Ai ka thënë se buxheti nuk mund të nxirret në seancë për trajtim pa asnjë konsultim paraprak.

E Labinot Gashi nga LDK-ja ka thënë se seanca urgjente po e pamundëson kontributin e opozitës rreth buxhetit. Ai i ka sugjeruar kryetarit të komunës se buxheti nuk është mirë të miratohet me vota të kontrabanduara, siç i ka quajtur ai edhe votat e 3 kolegëve nga partia e tij, përfshirë edhe kryesuesin, duke i quajtur sekserë politik.

Bibaj i PDK-së e ka parë si "pazar për disa metra asfalt" edhe vonesën prej rreth 40 minutash të fillimit të seancës. Pasi nuk është përkrahur propozimi për shtyrjen e seancës, opozita e ka lëshuar sallën e mbledhjeve, ndërkaq 16 anëtarët e pranishëm e kanë votuar buxhetin unanimisht.