Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina dyshohet të jetë pas sulmit me dron të anijes ruse në Gjirin e Finlandës

Roja Kufitare Finlandeze

FOTO: Roja Kufitare Finlandeze

Një anije mallrash ruse, e cila po udhëtonte drejt Kaliningradit, enklavës ruse në Detin Baltik, është goditur nga një sulm me dron në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, raporton BBC. 

Anija me emrin “Sparta II” ka marrë flakë pas sulmit të së shtunës në mëngjes, përpara se ta humbte kursin dhe të përfundonte në ujërat territoriale të Finlandës. Autoritetet finlandeze të mbrojtjes kanë thënë se Ukraina dyshohet të jetë përgjegjëse për sulmin, ndërsa Kievi ende nuk ka komentuar lidhur me incidentin.

“Lufta po shtrihet edhe në afërsinë tonë të drejtpërdrejtë. Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit”, ka deklaruar kryeministri finlandez, Petteri Orpo.

Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, ka thënë se, sipas informacioneve të para, në sulm janë përdorur dy dronë. 

Anija “Sparta II” ishte vënë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2022, ndërsa Ukraina e kishte sanksionuar në fillim të këtij viti. Sipas qeverive amerikane dhe ukrainase, ajo operohet nga një kompani ruse.

Në faqen e saj zyrtare, kompania thotë se është themeluar në vitin 2011 në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe se që nga viti 2015 operon në kuadër të kompleksit të ndërtimit ushtarak të vendit.