Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përfshirja e fëmijëve në çerdhe po rritet, por Kosova mbetet larg objektivave

çerdhe

Përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm në Kosovë mbetet larg objektivave të përcaktuara. Pavarësisht rritjes së regjistrimit në vitet e fundit, vetëm një pjesë e vogël e fëmijëve të moshës 0–2 vjeç ndjekin programe edukative, ndërsa edhe te grupmoshat më të mëdha, vendi nuk ka arritur cakun e paraparë për vitin 2026. Njohësit e arsimit thonë se krahas zgjerimit të përfshirjes, sfidë mbetet edhe cilësia e shërbimeve

Vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin intelektual, emocional dhe social të fëmijëve. Megjithatë, edukimi në fëmijërinë e hershme vazhdon të mbetet i paarritshëm për shumicën e fëmijëve në Kosovë.

Ndonëse përfshirja e fëmijëve të moshës 0–2 vjeç në edukimin e hershëm është rritur nga 3.9 në 8 për qind brenda një viti, shumica dërrmuese e kësaj grupmoshe ende mbetet jashtë sistemit.

Rritje e përfshirjes është shënuar edhe te grupmoshat e tjera, por treguesit vazhdojnë të jenë nën objektivat e përcaktuara në Strategjinë e Arsimit dhe standardet evropiane.

“Regjistrimi i fëmijëve të moshës 0–2 vjeç ka arritur në 8% në vitin shkollor 2024/2025, nga 3.9% sa ishte në vitin 2023/2024. Ndërkaq, shkalla bruto e regjistrimit të fëmijëve pesëvjeçarë ka arritur në 87.1% në vitin 2024/2025, që paraqet rritje prej 4.3% krahasuar me vitin paraprak, pas vendosjes së arsimit parashkollor, parafillor si të detyrueshëm. Shkalla bruto e regjistrimit të fëmijëve të moshës 3–5 vjeç është rritur për 6.6% krahasuar me vitin 2023/2024, duke arritur në 43.4%. Pavarësisht këtij progresi, regjistrimi mbetet nën standardet e BE-së dhe OECD-së, si dhe nën objektivin prej 45% për vitin 2026, të përcaktuar në Strategjinë e Arsimit të Kosovës. Zgjerimi i mëtejshëm i këtij sektori pengohet nga dobësitë në kapacitetet e menaxhimit të financave publike”, thuhet në raportin e Progresit për Kosovën.

Rëndësia e edukimit të hershëm nuk kufizohet vetëm te zhvillimi i aftësive bazë. 

Edhe Raporti i Progresit evidenton rezultate të dobëta e reforma të vonuara në arsim Arbëri Raporti i Progresit evidenton rezultate të dobëta e reforma të vonuara në arsim

Njohësit e arsimit vlerësojnë se fëmijët që ndjekin dy vjet programe cilësore të edukimit në fëmijërinë e hershme mund të arrijnë rezultate 30 deri në 40 për qind më të larta në testet e standardizuara në moshën 11–12-vjeçare.

Njohësi i fushës së arsimit, Xhavit Rexhaj, e konsideron këtë periudhë vendimtare për formimin e fëmijës, duke theksuar se investimi në edukimin e hershëm ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe suksesin e tij të mëvonshëm.

“Fëmija është i formuar rreth moshës 6-vjeçare, ndryshimet e më vonshme janë shumë më të vogla dhe shumë me më pak ndikim në jetën e tyre. Rrjedhimisht, edukimi në femërinë e hershme është niveli më i rëndësishëm prej të gjitha niveleve të arsimit dhe shkollimit të njeriut. Ky është aq i rëndësishëm sa që shkolla fillore, shkolla e mesme, fakulteti për nga rëndësia nuk i afrohen deri në dy, tre apo edhe pesëfish. Pikërisht për rendësin në formimin emocional, intelektual edhe etik të fëmijëve edhe për shkak të ndikimit të saj në performancën e fëmijës në edukim, në punë edhe në jetë”, ka thënë Rexhaj

Ai thotë se vetëm në vitet e fundit, Kosova ka nisur të shënojë rritje të përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.

“Mosha 3-4 vjeç është mosha kryesore në edukimin në fëmijërinë e hershme, e në këtë moshë Kosova deri para 3-4 vjetësh ka pasur vlera shumë të ulëta. Për herë të parë në vitin 2025-2026 metodologjia mix e UNICEF-it ka gjetur që Kosova për moshën 3-4 vjeçare përfshirjen e ka bërë për 35 për qind, kjo është një lëvizje shumë e rëndësishme për Kosovën. Në moshën 5-vjeçare, klasat parafillore, Kosova ka përfshirje shumë të mirë, por kohëzgjatja e qëndrimit të fëmijëve në atë nivel është vetëm 2 orë, që është shumë e ulët karshi nevojave të tyre”, është shprehur ai.

Edhe Instituti Gap: Fëmijët në zonat rurale pa qasje në edukimin parashkollor Arbëri Instituti Gap: Fëmijët në zonat rurale pa qasje në edukimin parashkollor

Përfshirja në edukimin e hershëm mbetet dukshëm më e ulët te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. 

Sipas të dhënave të UNICEF-it, vetëm 7 për qind e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç nga këto komunitete janë të përfshirë në programe të edukimit të hershëm.