Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Raporti i Progresit evidenton rezultate të dobëta e reforma të vonuara në arsim

Shkolla

Foto: Ilustrim

Cilësia e arsimit, rezultatet e nxënësve në testet ndërkombëtare dhe vonesat në reformat ligjore janë disa nga çështjet që Komisioni Evropian i ka përfshirë në Raportin e Progresit për Kosovën. Raporti trajton edhe dallimet në qasjen në arsim, kushtet e punës së mësimdhënësve dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Edukimi i hershëm mbetet i paarritshëm për shumicën e fëmijëve deri në moshën dyvjeçare në Kosovë, thuhet në Raportin e Progresit për vitin 2025.

Sipas këtij dokumenti, 92 për qind e tyre nuk janë të përfshirë në këtë nivel të edukimit. 

Por edhe kjo përfshirje prej 8-përqindësh shënon rritje, pasi në vitin shkollor 2023/2024 ishte 3.9 për qind.

Këtë e vlerëson si përparim edhe drejtori i organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti.

“Çka vlen me u theksu dhe çka vlen vëmendje, por njëkohësisht edhe duartrokitje, është fakti që edukimi në fëmijërinë e hershme ka zhvillim goxha të theksuar. Kemi një dyfishim të pjesëmarrjes së fëmijëve të moshës 0-2 vjeç nga 3.9 për qind në 8 për qind brenda një viti që është arritje e madhe. Në anën tjetër, kemi krahas ligjit që hyri në fuqi në vitet paraprake, tash e kemi edhe kurrikulën e re që është lansuar zyrtarisht për moshën 0-6 vjeç dhe kjo është pikë shumë e rëndësishme për shkak se sipas OECD-së, fëmijët që janë pjesë e edukimit të hershëm, rezultojnë më mirë në testin PISSA, kështu që investimi tutje është i rëndësishëm për gjithë sektorin e arsimit”, ka thënë Agon Ahmeti, drejtor i Organizatës “ETEA”.

Përveç sfidave në edukimin parashkollor, Komisioni Evropian ka evidentuar edhe vonesa në procesin e reformave. Përgatitjet për Strategjinë e re të Arsimit 2035+ kanë nisur, por dokumenti ende nuk ka dalë në konsultim publik. Ndërkaq, rishikimi afatmesëm i strategjisë aktuale, që mbulon periudhën 2022-2026, nuk është publikuar.

Në raport potencohet po ashtu se arsimi i lartë vazhdon të rregullohet me ligj të vitit 2011.

Raporti evidenton edhe dallime në qasjen në arsim. Vetëm 31 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me 87 për qind të fëmijëve në nivel vendi.

Drejtori i ETEA-s vlerëson se, pavarësisht përparimeve në disa fusha, të dhënat e raportit të fundit dhe atyre të mëparshëm dëshmojnë për probleme të thella në sistemin arsimor të Kosovës.

“Në bazë të këtij raporti dhe raporteve që i kemi në dispozicion, aktualisht gjendja e arsimit në Kosovë është në krizë të thellë, duhet të jemi të sinqertë dhe korrekt me këtë. Tash në disa fusha u përmend, për shembull edukimi në fëmijërinë e hershme ka progres, po megjithatë këto shifra nëse i krahasojmë me vitin paraprak, kemi rritje, por nëse ndalemi dhe analizojmë aspektin e përgjithshëm, 92 për qind nuk janë të përfshirë në edukimin e hershëm”, ka thënë Ahmeti.

Raporti evidenton edhe rënie të numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, ndërsa kërkon më shumë mbështetje për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.