Hapja e 160 çerdheve ka qenë objektiv i Qeverisë për mandatin e shkuar. Por, janë hapur vetëm 29 sosh. Në Kosovë janë gjithsej 65 institucione parashkollore publike, për të cilat njohësit e arsimit thonë se mbetet e paqartë cilësia e shërbimeve që ofrojnë
Në pesë vjetët e fundit në Kosovë janë hapur 29 institucione të reja parashkollore.
Prej tyre, 12 çerdhe të reja janë ndërtuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa 11 shkolla janë adaptuar në çerdhe për fëmijë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë ndërtuar edhe 6 çerdhe me financim nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA 2016.
Megjithatë, ky numër mbetet shumë më i ulët se 160, sa ishte paraparë në programin qeverisës.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) fajësoi komunat, për mospërmbushjen e këtij objektivi.
“Arsye kryesore është mungesa e lokacioneve dhe lejeve të ndërtimit nga komunat respektive për çerdhet e reja të planifikuara në ligjin e buxhetit sepse aktualisht Ministria ka të planifikuara në ligjin e buxhetit ndërtimin edhe të 28 çerdheve të tjera të reja si dhe 4 adaptime të shkollave në çerdhe. Aktualisht janë të kontraktuara dhe në ndërtim 27 çerdhe të reja, dhe në proces të adaptimit 5 shkolla në çerdhe me investime nga MASHTI”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Edhe
Instituti Gap: Fëmijët në zonat rurale pa qasje në edukimin parashkollor
Në Kosovë janë gjithsej 65 institucione parashkollore publike, prej të cilave 41 janë objekte amë, ndërsa 24 funksionojnë si paralele të ndara.
Hanë Zylfiu-Hazirit, e cila është menaxhere e projekteve në Qendrën e Arsimit për Kosovën (KEC), thotë se ky numër mbetet i pamjaftueshëm përballë kërkesës në rritje për çerdhe.
“Kjo nuk mbulon kërkesën dhe nevojat të cilat paraqiten si nga prindërit që fëmijët e tyre të përfshihen nëpër institucione parashkollore, por edhe nga ajo se komunat çfarë ofrojnë më shumë. Edukimi parashkollor është shumë më rëndësi për fëmijët e vegjël sidomos për moshën disa vite para fillimit të shkollimit”, ka thënë Zylfiu-Haziri.
Ajo thekson se mbetet e paqartë edhe cilësia e shërbimeve që ofrohen në çerdhet ekzistuese, pasi nuk ka inspektorë të veçantë që merren vetëm me institucionet parashkollore.
Edhe
Për 4 muaj, 31.553 fëmijë më pak në listë, Ministria mohon dyshimet për keqpërdorime
“Tash duhet të flasim se çka po ju ofrojmë atyre fëmijëve? A ka cilësi në ato klasa? A ofrohet programi adekuat, pavarësisht që e kemi kurrikulën, por sa janë të përgatitura edukatoret? Apo po bëjmë ndonjëherë edhe replika të klasës së parë?”, ka thënë Zylfiu-Haziri. “Nuk kemi sistem që e kontrollon se çka në atë ambientin ‘e bukur’ ofrohet”.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit për vitin shkollor 2024-2025, në institucionet parashkollore në Kosovë janë të punësuar 678 edukatore dhe 4 edukatorë.