Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nxënësit e nisin vitin me kurrikulë të skaduar, ekspertët kërkojnë reforma e Ministria hesht

nxenes

Viti shkollor 2026/2027 do të nisë me zgjerim të mësimit tërëditor dhe me disa objekte të reja, por edhe me kurrikulë të vjetër. Kurrikula që afat kishte deri këtë vit, ishte paralajmëruar të rishikohej nga Ministria e Arsimit, por kjo nuk ka ndodhur

Viti i ri shkollor do të nisë me kurrikulë të papërditësuar, e cila është miratuar në vitin 2016 dhe ishte 10-vjeçare.

Me gjithë risitë ndër vite, si mësimi tërëditor në disa shkolla të Prishtinës dhe objektet e reja, viti shkollor 2026/2027 do të bazohet mbi një kurrikulë të pa afat.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka nisur procesi i rishikimit të kurrikulave lëndore-programore. Por tash e shtatë muaj nuk ka pasur ndonjë progres në këtë drejtim. 

N pyetjet e dërguara nga KOHA se ku ka ngecur ky proces, Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për më shumë se një muaj.

Sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaja, mungon iniciativa për analizimin e rezultateve të kurrikulës aktuale, e cila është në zbatim tash e një dekadë. 

“Në gjykimin tim është shumë e rëndësishme që pikësëpari të rishikohen rezultatet, të rishikohet fondi i orëve dhe të kuptohet më me saktësi se cili është ai format ideal i kësaj kurrikule, cilat janë ato rezultate që në të vërtetë i bëjnë nxënësit tanë të përgatitur. Por, përtej kësaj, më e rëndësishmja, cili është ai implikim i kësaj kurrikule në metodologjinë e mësimdhënies, pasi që, nga vlerësimi ynë, shumëçka që e kemi në dokumentet kurrikulare nuk është fare e zbatueshme në mësimdhënie si praktikë pedagogjike”, ka thënë Qehaja. 

Sipas tij, mungojnë vullneti dhe ndarja e qartë e kompetencave. Ai thotë se, për të qenë në hap me zhvillimet teknologjike, nuk është domosdoshmërisht e nevojshme të rishikohet e gjithë kurrikula, pasi përshtatja mund të bëhet edhe përmes lëndëve zgjedhore.

Në kuadër të risive për këtë vit shkollor, në kryeqytet, mësimi në nivelin parashkollor do të zgjatet për dy orë - nga dy në katër.

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, në një intervistë në emisionin “383” në KTV tha se në këtë vit shkollor mësimi tërëditor do të zgjerohet edhe në katër shkolla, përfshirë edhe në atë “Afrim Gashi” në Hajvali.

Por drejtori i këtij institucioni, Zukë Zeka, tha për KOHËN se më 1 shtator nuk do të jenë gati për këtë. 

“Përgatitjet pak janë me vonesë, por jemi gjithsesi të gatshëm sa të bëhen ato. Është hera e parë që po e bëjmë mësimin tërëditor dhe kemi bashkëpunim me drejtorin, me drejtorinë. Kemi qenë në komunikim. E kam njoftuar drejtorin që shkolla jonë është e gatshme. Do t’i sjellin edhe bankat e reja, edhe ushqimin”, ka bërë të ditur Zeka. 

E, sipas ekspertit Qehaja, mësimi tërëditor kërkon më shumë përkushtim e planifikim.

“Pra, nuk duhet me e parë mësimin tërëditor si përfitim politik elektoral, por rëndësia dhe ajo çka ne duhet me parë është mësimi tërëditor si praktikat e mira që kthehen në përfitim për nxënësin”, ka vlerësuar Qehaja. 

Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në vitin shkollor 2026-2027 pritet të jetë afro 200 mijë, prej tyre afro 95 për qind në sektorin publik. Kurse në arsimin e mesëm të lartë pritet të vijojnë mësimin afro 62 mijë nxënës, prej tyre diku 92 për qind në sektorin publik. 

Qeveria edhe këtë vit ka ndarë mjetet financiare për subvencionimin e blerjes së librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.