Arbëri

Konsiderohet papërgjegjësi vonesa e emërimit të drejtorëve në Fushë-Kosovë

Vetëm katër emërime të drejtorëve të rinj komunalë i ka bërë kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Në këtë mandat të ri, Berisha e ka emëruar drejtorin për Arsim, Samir Shahini, drejtorin e Inspektoratit, Arbër Statovci, të Administratës, Amir Bullatovcin, dhe për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kolshin. Në dikasteret tjera në uebfaqen zyrtare të Komunës figurojnë drejtorët që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar, pos Urbanizmit që te vegza “Drejtori” nuk figuron askush.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se kryetari Berisha do të duhej që deri tash të kompletojë ekzekutivin, edhe sikur do t’i linte në ato pozita drejtorët e mandatit të kaluar.

Bekim Krasniqi nga Organizata YAHR, ka thënë se kjo vonesë krijon huti edhe te qytetarët.

“Në momentin e mbajtjes së seancës së parë inauguruese të legjislativit të ri është dashtë që kryetari të caktojë ose të emërojë kabinetin qeverisës. Voneasa në emërimin e drejtorëve, shkakton huti te qytetarët, te organizatat e shoqërisë civile, e edhe te vetë të emëruarit e tij në ekzekutivin e vjetër. Në mungesë të drejtorëve, qytetarët nuk dinë se kujt t’i drejtohen.

Në momentin e mbajtjes së seancës inauguruese secili kryetar duhet ose të emërojë kabinetin e ri qeverisës, ose të vazhdojë me kabinetin e vjetër”, ka theksuar Bekim Krasniqi.

Ai thotë se mosemërimi i drejtorëve është edhe papërgjegjësi e kryetarit ndaj votuesve të vet dhe ndaj qytetarëve në përgjithësi.

“Nuk ka pse të vonohet për t’i caktuar drejtorët. Sepse kjo ndikon edhe në punën e ekzekutivit, sepse kabineti i vjetër nuk e di a do të vazhdojë punën a do t’u ndërpritet mandati. Prandaj, ata mund të mos i shtyjnë proceset përpara dhe kështu mund të ketë vonesë në fillimin e procedurave për realizimin e projekteve të komunës”, është shprehur Krasniqi.

Vërejtje për mosemërimin e drejtorëve ka pasr edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra.

“Komoditeti i tepruar që ka krijuar kryetari po jep frytet e veta. E rifitoi mandatin dhe më nuk po e çan kokën për të filluar punën për çka edhe e ka marrë besimin. Këtë e dëshmon edhe fakti që ende nuk i ka emëruar gjysmën e drejtorëve. Vonesa në emërimin e drejtorëve apo lënia e dikastereve pa udhëheqës po shkakton neglizhim të punëve, vonesa në marrjen e vendimeve dhe në ngecje në shumë fusha”, ka thënë Durim Hajra. “Shto këtu faktin që gjendja është shumë keq pothuajse në çdo sektor dhe ne nuk kemi kohë që të ndalemi asnjë moment pasi që kemi ngelur mbrapa. Ne e konsiderojmë papërgjegjësi që për pazare dhe për interesa e apetite partiake të vonohen kaq shumë në emërimin e drejtorëve, pasi që për mosmarrëveshje dhe pazare qytetari nuk e meriton ta pësojë”, ka thënë ai.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë rreth kësaj çështje, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.