Protestë kundër shtrenjtimit të rrymës ka mbajtur të shtunën Partia Socialdemokrate. Ata kërkuan që të hidhet poshtë sa më parë propozimi i ZRRE-së për bllok-tarifat. E, protesta eskaloi edhe në konfrontim fizik mes protestuesve e Policisë.
Për ta kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës, Partia Socialdemokrate mblodhi mijëra protestues në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Prej aty, ata marshuan drejt objektit të Qeverisë, teksa në duar mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme.
Por, me t’u afruar te Qeveria, kordoni i parë policor nuk i ndali, çka e shtyu Policinë të zmbrapsej deri para derës së Qeverisë.
Protestuesit tentuan ta çanin edhe këtë kordon, por aty hasën në rezistencë të forcave të rendit, çka më pas kaloi në një konfrontim disaminutësh mes tyre.
Organizatorët e protestës në krye me Dardan Molliqajn kërkonin që fjalimin ta mbanin në krye të shkallëve.
Gjatë përballjes së tij me Policinë, Molliqaj e goditi në fytyrë njërin prej tyre.
Këmbëngulja e PSD-së bëri që Policia të rreshtoheshin më lartë dhe t’u bënin vend organizatorëve për fjalim.
Aty Molliqaj kritikoi Qeverinë e Kurtin.
“Kurrë moment më të mirë s’ka pasë Qeveria sesa ta kthejë tash distribucionin në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Por për me ndodhë kjo duhet guxim politik. Problemi është se brenda kësaj ndërtese është një frikacak”, tha ai.
Më pas, lideri i PSD-së foli edhe për arsyen se pse kishin dalë në protestë, si dhe për kërkesat e tyre.
“Propozimi i ZRRE-së duhet menjëherë tani të hidhet poshtë. Ai propozim nuk ka me kalu, sa të ka qytetarë aktivë, sa të jemi ne gjithë bashkë, pavarësisht dallimeve partiake, këtë zotim nuk do ta lejojmë të kalojë”.
Por, me situatën që u krijua nuk qe i kënaqur një protestues, i cili tha se ishte ftuar të merrte pjesë në protestë paqësore.
Protestuesit gjuajtën objektin e Qeverisë me qirinj e poçe elektrike.
Pas përfundimit të protestës, reagoi nga ekzekutivi që i falënderoi organet e rendit që, sipas tyre, nuk e lejuan protestën të eskalonte.
Në këtë protestë të PSD-së u panë vetëm dy deputetë të partive opozitare që po kundërshtojnë shtrenjtimin e rrymës, Hisen Berisha i PDK-së dhe Pal Lekaj i AAK-së.