Policia e Kosovës ka thënë se një numër i konsiderueshëm personash kanë marrë pjesë në protestën e organizuar sot para Qeverisë nga Partia Social-Demokrate, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Policia ka thënë se ka ushtruar kompetencën dhe përgjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta, ka monitoruar me qëllim të ruajtjes së sigurisë.
“Sot rreth orës 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, një numër i konsiderueshëm personash kanë zhvilluar një aktivitet protestues. Në përputhje me autorizimet ligjore, Policia e Kosovës ka ushtruar kompetencën e saj dhe përgjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta ka monitoruar situatën me qëllim të ruajtjes së nivelit të sigurisë dhe krijimit të rrethanave të përshtatshme dhe të sigurta për pjesëmarrësit në manifestim si dhe mbarëvajtjen e manifestimit, por pa u cenuar cilësia e jetës përpjesën tjetër qytetare, jo pjesëmarrëse”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë se në këtë protestë kanë marrë pjesë 2500-3000 protestues.
“Protesta ishte e qetë për shkak të organizimit të mirë të protestës sikur edhe shkaku i sjelljes së mirë të policëve që mirëmbanin rendin. Është me rëndësi që asnjëra palë, protestuesit e as policia nuk ndërmorën ndonjë veprim për tensionim të situatës duke kontribuar që protesta të jetë paqësore. Sipas vëzhguesit të KMDLNj- së në këtë protestë, numri i protestuesve ishte 2500-3000 protestues”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj ka vlerësuar se në këtë protestë janë shkelur rregullat anti-COVID sepse nuk është përfillur distanca sociale.