Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia thotë se PSD-ja s’e kishte lajmëruar protestën

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se protesta e Partisë Socialdemokrate që u organizua të shtunën e shkuar kundër shtrenjtimit të rrymës ka qenë e paparalajmëruar. Duke folur në “Java Sonte me Rronin” në KTV, Kelani ka komentuar edhe çështjen e arrestimit të kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj, për shkak të sulmit ndaj polici në protestë.

Kelani ka thënë se protesta s’ka qenë e lajmëruar siç e parasheh ligji. Ai ka bërë të ditur se po që se do të ishte e paralajmëruar, organizimi i Policisë do të ishte më i mirë se që ka qenë.

Molliqaj nuk ishte arrestuar në momentin e shuplakës dhënë policit, por disa ditë më vonë. Për këtë, Kelani ka thënë se arrestimi s’ka ndodhur në momentin e protestës për shkak se është tentuar që të mos ketë tensionim të mëtejmë të situatës.

Ai ka thënë se në protestë janë sulmuar katër policë.

Pas identifikimi të dy të dyshuarve, Dardan Molliqaj dhe një aktivisti tjetër të PSD-së, Kelani ka thënë se është kontaktuar prokuroria dhe janë përcaktuar thirrjet për intervistim.

Sipas tij, Policia ka provuar ta kontaktojë Molliqajn përmes telefonit, por ai s’është përgjigjur. Molliqaj s’ishte gjetur, sipas Kelanit, as në adresat e banimit të tij, ndërsa në zyrat e subjektit politik dy aktivistë s’kanë pranuar t’i nënshkruajnë ftesat zyrtare.

Kelani ka shtuar se Policia ka të drejtën e veprimit për të arrestuar ata që janë kapur në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale. Sipas tij, arrestimi i Molliqajt ka ardhur edhe me njoftim të prokurorit që ka dhënë “urdhrin verbal” se kudo që haset i dyshuari duhet të ndalohet për procedura të mëtejme.

Të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraqitjes në stacionin policor për Molliqajn.

Molliqaj nuk është lajmëruar në thirrjet e stafit të emisionit.

Artikuj të ngjashëm