Gjatë arrestimit të aktivistëve të PSD-së gjatë së hënës, katër zyrtarë policorë janë lënduar, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit policor, nga 13 sa janë arrestuar, katër prej tyre janë dërguar në mbajtje e të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje.
PSD-ja të hënën protestoi në zyrat në ZRRE-së për shkak të çmimit të energjisë elektrike.
Ajo e ka quajtur gënjeshtër deklarimin e Policisë se disa zyrtarë policorë janë lënduar gjatë ndërhyrjes.
“Policia e Kosovës po e vazhdon propagandën që ka për qëllim kriminalizimin e protestës dhe arrestimin e dhunshëm të aktivistëve. Policia ka dezinformuar dhe ka gënjyer. Ka dezinformuar kur ka thënë se janë në mbajtje 4 aktivistë. Aktivistët e arrestuar janë 6, emrat e tyre janë: Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Natyra Kuçi, Genc Sherifi, Frashër Krasniqi”, thuhet në komunikatë drejtuar mediave.
PSD-ja thekson se anëtarët e saj janë shkelur me këmbë nga policët, ndërsa lëndimet e marra i ka konstatuar edhe ndihma mjekësore.
Edhe
Molliqaj dhe pesë aktivistë tjerë të PSD-së janë ndaluar për 48 orë
“Gënjeshtra ndërkaq është e kulluar lidhur me rrjedhën e protestës. Ata thonë se janë lënduar 4 policë, por në fakt pamjet tregojnë se janë protestuesit që të shtrirë janë shkelur me këmbë. Evidenca mjekësore dëshmon po ashtu se ndihmë mjekësore kanë kërkuar Dardan Molliqaj dhe Gent Brahimi. Ne vazhdojmë të kërkojmë përgjigje në lidhje me vendimin e shtrenjtimit të rrymës. Mashtrimi, gënjeshtra e manipulimi i ZRRE-së tashmë u dëshmua edhe me dhunën policore që u përdor dje”, thuhet tutje.