Arbëri

Molliqaj një ditë pas protestës ku e sulmoi një polic: Aksionet e protestat do të vazhdojnë

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje që të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtimin e rrymës.

Molliqaj është deklaruar një ditë pas protestës në Prishtinë, ku ai qëlloi me shuplakë një polic. Në protestë ku u tha se morën pjesë afro 2000 persona, u raportua për tre policë të lënduar.

Molliqaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se protestat e aksionet do të vazhdojnë derisa të merret një vendim për të mos u shtrenjtuar rryma.

“Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit. Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës. Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.