Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Profesori e ka familjar nxënësin që e rrahu në oborr të shkollës, Komuna paralajmëron masa

Sabit Kopalla, profesor në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, ka rrahur nxënësin Y. F. të shkollës “Ibrahim Rugova” në këtë komunë.

Në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale profesori i anglishtes shihet teksa grushton fëmijën derisa nxënësit e tjerë e ndajnë atë.

Ekipi i Kohavisionit ka kontaktuar edhe profesorin Sabit Kopalla, por i njëjti i ka thënë televizionit se nuk është në gjendje të flasë as edhe një fjalë për rastin.

Nëna e nxënësit, pa dashur të flasë para kamerës, i ka thënë KTV-së se djali i saj është në gjendje shëndetësore të mirë dhe se nuk duan të flasin për rastin, pasi me profesorin janë edhe familjarë.

Ajo ka thënë se ky rast ka ndodhur aksidentalisht duke akuzuar mediat se e kanë bërë të madhe këtë rast.

Ndërkohë, dëshmitarë kanë treguar se fillimisht nxënësit kanë filluar të përleshen mes vete dhe se profesori ka shkuar për t’i ndarë ku më pas edhe ai vetë u përfshi në rrahje.

Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka thënë se ndaj profesorit do të marrin masat konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

Edhe Profesori rrah nxënësin në Podujevë Kronikë Profesori rrah nxënësin në Podujevë

“Krijimi i mjediseve të sigurta, jo të dhunshme dhe miqësore në shkolla, është synim i yni si Drejtori Komunale e Arsimit, dhe se rastet e tilla (si ajo që shihen në video) na kanë shqetësuar dhe si të tilla janë të papranueshme. Ne si DKA, do t’i shqyrtojmë të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ky incident, dhe do të ndërmarrim masa konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë Agim Blakçori, drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës.

Rastet e dhunës ndaj nxënësve janë bërë shumë të shpeshta viteve të fundit.

Drejtoritë e Arsimit dhe Ministria vazhdimisht kanë thënë se janë duke punuar në ofrimin e sigurisë së nxënësve në shkolla.