Arbëri

Prizreni vijon vaksinimin, pasi furnizohet me 1.620 doza

Vaksinimi anti-Covid në Prizren ka vazhduar të premten pasdite pas arritjes së kontingjentit prej mbi 1 mijë e 600 vaksinave. Ky numër i vaksinave sipas drejtuesve të Komunës do të jetë i mjaftueshëm për vazhdimin e procesit të vaksinimit vetëm gjatë 3 ose 4 ditë të ardhshme. Sipas zyrtarëve përgjegjës, për t’i shmangur tollovitë, po aplikohen terminët. Personat e moshës 65 deri në 70 vjeç, në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren kanë pritur që të vaksinohen ose të regjistrohen që imunizimin ta realizojnë gjatë fundjavës. Ata kanë shprehur interesim për vaksinim për arsye të ndryshme.

“Po kemi qejf me udhëtu, i kemi fëmijët në kurbet. Për atë arsye kemi nevojë për këtë karton”, ka thënë veterania e arsimit, Miradije Malazogu, pas vaksinimit.

Sipas drejtuesve të Kujdesit Parësor Shëndetësor, të premten janë angazhuar 3 ekipe të vaksinimit, gjë që do të dyfishohet të shtunën, pasi tashmë janë caktuar terminët.

“Qytetarët janë të interesuar, kanë ardhur bile në mëngjes, para se me i marrë ne vaksinat, shumë herët. Ne pas orës 1 i kemi pranuar vaksinat dhe kemi vazhduar vaksinimin për moshën mbi 65-vjeçare”, ka thënë drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj.

Ndërsa, drejtori i QKMF-së, Xhevat Elezkurtaj, ka pohuar se numri i të moshuarve të interesuar për vaksinim është në kuadër të suazave normale dhe se për të shmangur tollovitë dhe për t’i respektuar masat kufizuese po aplikohet sistemi i terminëve.

“Ne kemi bërë terminë, e kemi paraparë se sa vaksina mund t’i japim sot dhe të gjithë ata që nuk kanë mundësi dhe qasje për ditën e sotme, i kemi caktuar termin për ditën e nesërme dhe pasnesër", ka deklaruar Elezkurtaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për pritjet, meqë sipas tij, ka nevojë për regjistrim. Gjithashtu ka shfaqur shpresën se do të ketë furnizime të reja me vaksina nga MSh-ja, meqë sasia aktuale është e mjaftueshme vetëm për 3-4 ditë.

“Momentalisht ne mund të bëjmë deri në 500 vaksina në ditë. Me këtë sasi që kemi, faktikisht do t’i kemi 3-4 ditë furnizim. Por mirë është që ka interesim nga qytetarët...”, ka deklaruar Haskuka.

Zyrtarët përgjegjës të Kujdesit Parësor Shëndetësor kanë bërë të ditur se nëse do të ketë furnizime për vaksinim masiv, atëherë një gjë e tillë do të realizohet sipas planit përkatës në Qendrën Sportive “Sezai Surroi”. Sipas tyre, në rast të sigurimit të dozave të mjaftueshme të vaksinave brenda 3 muajve mund të kompletohet procesi i vaksinimit të popullatës në Komunën e Prizrenit.