Komuna e Prizrenit po planifikon decentralizimin e procesit të vaksinimit kundër Covid-19. Sipas zyrtarëve lokalë vaksinat mund të administrohen edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare, dhe jo vetëm në Qendrën e Vaksinimit, të vendosur prej disa muajsh në palestrën e sporteve. Tashmë një kërkesë e kësaj natyre është adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkaq kjo e fundit, të hënën, i ka dhuruar Njësisë së Vaksinimit të Kujdesit Parësor Shëndetësor një automjet adekuat për bartjen e vaksinave. Autoritetet komunale kanë pohuar se automjeti i pranuar nga Ministria e Shëndetësisë krijon lehtësira për decentralizimin e vaksinimit.
po planifikojmë decentralizimin e vaksinimit, d.m.th do të bartim vaksinimin në Qendrat tona të mjekësisë familjare. Në përmbi 10 Qendra kemi njësitë e vaksinimit, por do të shohim në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë se si do ta bëjmë organizimin e vaksinimit, a do ta bëjmë në të gjitha këto qendra apo vetëm në disa qendra”, ka thënë drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se automjeti i pranuar nga MSh-ja do të shfrytëzohet për bartjen e sigurt të vaksinave kundër Covid-19, por edhe të vaksinave të tjera.
“Shpresoj që tash e tutje rregullohet çështja e vaksinimit, pasi vaksinimi masiv veç më u krye, tash edhe ky automjet na ndihmon për bartjen vaksinave në qendrat ku do të vazhdoj vaksinimi”, ka deklaruar Haskuka.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren Xhevat Elezkurtaj ka pohuar se me donacionin e MSh-së lehtësohet puna për profesionistët shëndetësorë meqë mundësohet ruajtja e zinxhirit të ftohjes së vaksinave në saje të pajisjeve që posedon automjeti. Ai ka theksuar se puna në qendrën e vaksinimit vijon normalisht, ku deri më tani janë administruar rreth 125 mijë doza të vaksinës.
“Me dozën e parë prijmë diku rreth 74.6 për qind, ndërsa me dozën e dytë rreth 50 për qind. I bëj thirrje popullatës që deri tani nuk ka pasur mundësi që të vaksinohet ose ka hezituar, që të vaksinohet pasi dyert e palestrës sportive janë të hapura në dy ndërrime”, ka thënë Elezkurtaj.
Në anën tjetër zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha ka theksuar se shuma e investimit për këtë automjet është 50 mijë euro.
“Ky automjet do t’i shërbejë QKMF-së gjegjësisht njësisë së vaksinimit që zinxhiri i ftohtë të jetë i ruajtur 100 për qind, që transporti që bëhet nga IKSHPK-ja për vaksinat kundër Covid-19 dhe për vaksinat e kalendarit të rregullt të jetë adekuat”, ka deklaruar Berisha.
Në bazë të dhënave të publikuara nga autoritetet komunale deri më tani janë administruar gjithsej 125,000 vaksina, ku me dozën e parë janë vaksinuar 72,200 persona ose 73.4% e popullatës mbi 18 vjet dhe me dozën e dytë janë vaksinuar 46,400 persona ose 48% e popullatës mbi 18 vjet. Në nivel vendi janë administruar mbi 1.4 milionë doza të vaksinës anti-Covid.