Opinionisti Ardit Gjinali ka thënë se Kosova duhet të bëjë një politikë të përgjegjshme e lobim të intensifikuar në Shtetet e Bashkuara.
Gjinali në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Kosova është vendi i vetëm i rajonit që nuk ka asnjë kontratë sa i takon procesit të lobimit në SHBA, ndërsa thotë se Serbia ka kontrata të shumta.
“Lobimi duhet të jetë një nga elementet thelbësore të diplomacisë së Republikës së Kosovës. Në fund të ditës, secili prej proceseve nga viti 1990 deri më 1999, secili prej proceseve është arritur nëpërmjet një lobimi intensiv të të gjithë segmenteve të shoqërisë kosovare e të gjithë mërgatës së Kosovës, veçanërisht asaj në SHBA”, tha Gjinali.
Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë një qasje shumë më të përgjegjshme, e përulëse.
“Kur them përulëse, nuk nënkuptoj nënshtruese, por mirënjohjeje...Mirënjohje ndaj partnerit më të madh. Kjo qasje përulëse duhet të tregohet me veprime të caktuara në koherencë me SHBA-në. Kujtoj gazin amerikan në radhë të parë, e po ashtu duhet të ndërmerren të gjitha përpjekjet për rikthimin e një aseti të madh politik të humbur, siç është dialogu strategjik”, tha Gjinali. “Mendoj se secili prej elementeve bashkë me një politikë më të përgjegjshme e lobim të intensifikuar e qasje proaktive në burime diplomatike”.