Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramosaj për heqjen e fotografisë së Rugovës: 40 vjet kam punuar me Shiroka-Pulën, ka rënë pre

Berim Ramosaj

Profesori Berim Ramosaj, ka komentuar veprimin e presidentes Justina Shiroka-Pula e cila ka hequr nga vendet e nderit fotograinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Ramosaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se Shiroka-Pula nuk është karakter personalizues, por sipas tij ka rënë pre e ndonjë këshille të dikujt që dëshiron të mohojë vlerat dhe vazhdimësitë e mëparshme.

“Presidentët e tillë që i zgjedh Kuvendi në mënyrë shumë mekanike, si një Ligj i thjeshtë, dhe të bëjë veprime shumë të personalizuara, e as me ruajtjen e asaj vazhdimësie identitare të Kosovës, lë të kuptosh që ajo që e ka këshilluar për veprime të tilla presidenten aktuale, nuk ka vepruar mirë. Unë kam punuar 40 vjet me presidenten Shiroka-Pula, nuk mendoj që është një tip i tillë i nivelit shumë të personalizuar që mundohet të imponojë diçka të saj personale. Besoj se është pre e ndonjë këshille ose vetëdije të caktuar që dëshirojnë me çdo kusht të mohojnë vazhdimësitë e mëhershme, dhe dëshirojnë të krijojnë një Republikë të re”, ka thënë Ramosaj.

Ramosaj e ka quajtur të njëanshëm veprimin e presidentes Shiroka-Pula. Ai ka thënë se një gjë të tillë nuk do të konsiderohej që do të mund ta bënin as presidentët e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

“Veprimet e njëanshme edhe të presidentëve të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët janë të kufizuara, e lëre më të presidentëve të caktuar që i zgjedh një Kuvend për një periudhë të shkurtër kohore, mos të them të këtij presidenti që është zgjedhur në gjysmën e natës me vota të imponuara dhe që e ka kuptimin e një noteri të Qeverisë, të bëjë ndryshime të mëdha tek e fundit nuk i shkon as për nder personale në këtë rast presidentes, por nuk i shkon për nder as vullnetit qytetar”, ka thënë Ramosaj në “Konfront” në KTV.

Ndaj kësaj ka reaguar sot Lidhja Demokratike të Kosovës, duke e quajtur të papranueshme.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.

Gjinali: Kosova duhet të ketë lobim të intensifikuar në SHBA

2 min. më parë / 9 nën 2026 21:31
Ardit Gjinali

Opinionisti Ardit Gjinali ka thënë se Kosova duhet të bëjë një politikë të përgjegjshme e lobim të intensifikuar në Shtetet e Bashkuara.  

Gjinali në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Kosova është vendi i vetëm i rajonit që nuk ka asnjë kontratë sa i takon procesit të lobimit në SHBA, ndërsa thotë se Serbia ka kontrata të shumta. 

“Lobimi duhet të jetë një nga elementet thelbësore të diplomacisë së Republikës së Kosovës. Në fund të ditës, secili prej proceseve nga viti 1990 deri më 1999, secili prej proceseve është arritur nëpërmjet një lobimi intensiv të të gjithë segmenteve të shoqërisë kosovare e të gjithë mërgatës së Kosovës, veçanërisht asaj në SHBA”, tha Gjinali. 

Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë një qasje shumë më të përgjegjshme, e përulëse. 

“Kur them përulëse, nuk nënkuptoj nënshtruese, por mirënjohjeje...Mirënjohje ndaj partnerit më të madh. Kjo qasje përulëse duhet të tregohet me veprime të caktuara në koherencë me SHBA-në. Kujtoj gazin amerikan në radhë të parë, e po ashtu duhet të ndërmerren të gjitha përpjekjet për rikthimin e një aseti të madh politik të humbur, siç është dialogu strategjik”, tha Gjinali. “Mendoj se secili prej elementeve bashkë me një politikë më të përgjegjshme e lobim të intensifikuar e qasje proaktive në burime diplomatike”.