Arbëri

Qytetarët po presin edhe nga dy orë për vaksinim në Prizren

Pritje të gjata i kanë shoqëruar qytetarët e Prizrenit për vaksinim kundër COVID-19 të premten në Qendrën e Vaksinimit në Prizren. Radhët e gjata kanë qenë si brenda ashtu edhe jashtë qendrës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë asistuar në mbajtjen e rendit dhe qetësisë, krahas pranisë së punonjësve të sigurimit fizik. Pavarësisht grumbullimit, qytetarët kanë theksuar se nuk ka pasur devijime nga rendi, me ç’rast përparësi i është dhënë të moshuarve. Zyrtarët përgjegjës shëndetësorë kanë theksuar se janë disa faktorë që po ndikojnë në grumbullimin e qytetarëve në këtë qendër, duke veçuar numrin e madh të terminëve kundruall kapaciteteve për vaksinim në këtë qendër.

Në këtë situatë, kohëzgjatja e pritjes për vaksinim për qytetarët e caktuar të Prizrenit gjatë ditës ka shkuar në mbi dy orë. Pavarësisht fluksit të shtuar të të interesuarve për vaksinim, nuk ka pasur tensione, as dalje nga reshti. Fisnik Hoxha ka theksuar se shkaku i kërkesës së madhe të qytetarëve për vaksinim është dashur që të pres mbi 2 orë për marrjen e vaksinës.

“Procesi shkoi mirë, ishte lehtë, mirëpo koha e pritjes ishte pak ma e gjatë se që e kam pritur unë. Por në përgjithësi rendi ishte në rregull, nuk kishte devijime”, ka thënë ai.

Sipas tij, kohëzgjatja e pritjes për vaksinim po diktohet nga kërkesa e madhe e qytetarëve për vaksinim.

“Punëtorë shëndetësorë ka mjaft, por fluksi i qytetarëve që vijnë për vaksinim po shihet që është i madh”, ka deklaruar Hoxha, duke përkujtuar se disa javë më parë, nuk ka pasur pamje të tilla në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren.

Në Qendrën për Vaksinim, zyrtarët policorë po asistojnë në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka pohuar se qytetarët janë duke i respektuar rregullat dhe udhëzimet brenda Qendrës së Vaksinimit, dhe ka kërkuar nga ta që t’i respektojnë edhe terminët e caktuara online.

“Kemi një numër të madh të qytetarëve, të cilët janë të interesuar, mirëpo po menaxhohet situata ashtu siç kërkohet”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Prizren, Eshref Kryeziu ka bërë të ditur se brenda ditës në këtë qendër administrohen mbi 1,800 vaksina. Sipas tij, prej prillit deri më tani janë administruar 38 mijë vaksina me dozën e parë dhe 16 mijë me dozën e dytë, me 19 ekipe të angazhuara. Ai ka pohuar se grumbullimi po krijohet si rezultat i caktimit të numrit më të madh të terminëve se sa që janë kapacitetet në këtë qendër.

“Janë edhe disa faktorë tjerë që po bëhet grumbullimi i popullatës. Një prej tyre është se disa vijnë pa terminë, me shpresë se nuk do të kthehen prapa. Tjetër është se disa vijnë me ndërrim të terminëve, p.sh. e ka pasdite, por shkaku i kushteve klimatike vijnë në orët e mëngjesit, kur është më freskët. Janë edhe probleme tjera si rënia e sistemit, defektet në printerë, që e bëjnë ngecjen që procesi mos të ecën më shpejtë”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se shtimi eventual i personelit mjekësor nga Ministria e Shëndetësisë, do të ndikojë në stabilizimin e administrimit të vaksinimit.

Ditë më parë, përmes një komunikate LDK-ja opozitare, pati akuzuar pushtetin lokal në Prizren për dështim në menaxhimin e procesit të vaksinimit, gjë që ishte kundërshtuar nga menaxhmenti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.