Arbëri

Tollovi të mëdha para disa qendrave të vaksinimit në Kosovë

Numër i madh i njerëzve që nga mëngjesi i së martës janë mbledhur para qendrës së vaksinimit në Podujevë.

Pa distancë fizike e shumica edhe pa maska kanë pritur me orë të tëra për të marrë vaksinën anti-COVID.

Kjo tollovi është shkaktuar pasi procedura e vaksinimit nuk po shkonte sipas terminëve të Ministrisë së Shëndetësisë, meqë ditëve të fundit është rritur interesimi dhe qytetarët ia kanë mësyrë qendrës edhe pa terminë.

“Unë qe dy orë për veti, po qe gruaja që tha se qe 5 orë jemi duke pritë, prej 07:00 të mëngjesit”, thotë qytetarja Nurie Rekaliu.

“Njëherë e kanë bërë me termin, tani me numra, tash edhe termin edhe numra. E tash kemi mbetë as me numra as me termin, po presim te dera. Ata që kanë pasë termin të orës 08:00 janë hala brenda këta të 10:00-ve janë përjashta të gjithë deri në 12:00 ora”, thotë qytetari Bekim Hyseni.

Për pasojë, në këtë qendër vaksinimi u ndërpre edhe energjia elektrike, çka irritoi edhe më tepër qytetarët.

“Ne nuk jemi ardhë me shku në spital të zemrës as të nervave, jemi ardhë me marrë vaksinë me mbajtë një rend edhe ditën e mirë. Thojshin nuk kemi agregat, qysh s’kanë agregat me punu kompjuteri, është dashtë me siguru vetë edhe me mbajt rend”, thotë një qytetare.

E koordinatori i kësaj qendre, Imer Llugaliu, ka dhënë disa arsye pse është krijuar tollovia para kësaj qendre.

“Së pari është interesimi i shtuar i qytetarëve për t’u vaksninuar në bazë të udhëzimeve të MSH dhe e dyta është që në orën 11:46 minuta ka ra sistemi kompjuterik dhe pas një 10 minutave është ndërprerë edhe rryma”, tha Llugaliu.

Ashtu si në Podujevë, fluks të madh të njerëzve ka pasur edhe në Prizren e disa qytete të tjera.

Ndër problemet kryesore theksohet numri i vogël i ekipeve që po administrojnë vaksinën.

Në një përgjigje për Kohën nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se ditëve në vijim pritet të shtohen ekipet mjekësore dhe të punohet edhe gjatë fundjavës.

“Interesimi i madh ka bërë që në qendrat e vaksinimit të shtohet ndjeshëm fluksi. Përmes platformës eKosova caktohen terminë aq sa ka edhe mundësi të administrohen dhe sa janë paraparë me Planin e vaksinimit në masë, ndërsa qendrat e vaksinimit kudo e kanë për detyrë që të organizojnë vaksinimin sipas udhëzimeve që i kanë marrë që prej fillimit të procesit, duke respektuar terminët. MSh u ka ndihmuar me logjistikë dhe me ekipe mjekësore, të cilat do të rriten edhe më tej dhe do të punohet sipas nevojave edhe kërkesave edhe gjatë fundjavës, me qëllim që terminët e caktuar të realizohen dhe vaksinimi ta arrijë objektivin. Plani i veprimit e lejon të punohet (është punuar edhe më parë, aty ku ka pasur terminë të caktuar) edhe vikendeve, por edhe gjatë festave sipas nevojës”, thuhet nga MSH-ja.

Njëjtë, fluks të njerëzve ka pasur edhe në Rahovec që nga orët e hershme të mëngjesit.