Klinika e Oftalmologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës po qëndron shpeshherë e stërmbushur me pacientë. Teksa ata thonë se po u duhet të presin me orë të tëra për të bërë një kontroll, bashkë me stafin shëndetësor druhen se si pasojë e kësaj ekziston një rrezik më i lartë për infektim nga pandemia COVID-19. Nga kjo klinikë kanë thënë se pandemia ka vështirësuar punën e tyre.
KOHA ka qëndruar në mëngjesin e së martës dhe të mërkurës në këtë klinikë. Pacientët ankohen për pritje të gjatë si dhe e shohin shqetësuese mosrespektimin e masave mbrojtëse ndaj pandemisë.
“Qe 40 minuta jam duke pritur për kontroll të syve. Daja ka kontroll dhe unë jam vetëm shoqërues, por ajo që dua të theksoj është pritja e tepërt. Përveç pritjeve të gjata për kontroll, problem tjetër është respektimi i masave mbrojtëse ndaj pandemisë. Ka shumë pacientë dhe rreziku ndaj përhapjes së virusit ekziston”, ka thënë Valton Bytyqi nga Prizreni.
Ndërsa, Vahide Shala nga Ferizaj është ankuar se ardhja e vizitorëve të shumtë të pacientëve shton rrezikun për përhapjen e virusit.
“Nga Ferizaj kam ardhur në Prishtinë për të trajtuar djalin tim nga çrregullimi me sinus dhe gjithçka deri më tani është në rregull sa i përket stafit të mjekëve vetëm se kallaballëku i pacientëve po rrezikon shëndetin tonë dhe të fëmijëve. Në fillim, në dhoma nuk ka pasur shumë pacientë. Tani po, ma shumë se dy. Paradite po ka shumë vizitorë ndërsa pasdite më pak. Të gjitha pajisjet për t’u mbrojtur nga virusi i kemi siç janë maska, dezinfektues, dorëzat”, ka deklaruar Shala.
Kurse Liridona Sadiku nga Prishtina që po priste për kontrollin e vajzës së saj gjashtëvjeçare për disa orë ka thënë se pritjet po i bën “në mungesë të doktoreshës”.
Ndërkaq një pacient është ankuar edhe në sjelljen e infermiereve në këtë klinikë.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Oftalmologjisë, Ardian Shabani, ka thënë se pandemia ka vështirësuar punën në këtë klinikë, por sipas tij, shërbimet ndaj pacientëve s’kanë munguar.
“Si në çdo klinikë edhe te ne, pandemia COVID-19 ka vështirësuar punën sidomos gjatë vitit të kaluar, por organizimi ynë ka qenë asisoj që kemi mundur gjithherë që të japim shumë shërbime emergjente , ndërsa shërbimet tjera janë kryer konform rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së. Ku kemi mundur, kemi dhënë edhe shërbime joemergjente sidomos pas lehtësimit të masave ku përkohësisht ju kemi kthyer normalitetit deri në këto ditë kur ndodhi rritja e rasteve me COVID -19”, ka thënë Shabani.
Ai ka shtruar nevojën për shtim të stafit në këtë klinikë, teksa ka shtuar se me stafin shtesë do të organizoheshin më mirë shërbimet. Sipas Shabanit, klinika e Oftalmologjisë aktualisht është e furnizuar me mjete mbrojtëse anti-COVID-19 ku hyjnë mjetet bazike dorëza, maska dhe material dezinfektues. Ai ndër të tjerash ka thënë se numri i pacientëve është në rritje teksa përmendi ambulancat specialistike si më të ngarkuarat me pacientë. Ka shpjeguar po ashtu se intervenimet nëpër salla bëhen zakonisht pas testimeve për COVID-19 dhe nëse pacientët rezultojnë negativë mund të vazhdohet me trajtim.
Ai ka përfunduar se s’kanë marrë ankesa nga pacientët për sjelljet e stafit shëndetësor.