Me radhë të gjata e pritje disaorëshe po përballen pacientët në ambulancat specialistike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ndonëse për të realizuar një vizitë mjekësore detyrohen të shkojnë herët në mëngjes, shërbimi për ta nis me disa orë vonesë. QKUK-ja ka arsyetuar vonesat me angazhimet e tjera të personelit mjekësor
Të paktën tri orë kanë pritur pacientët të hënën për të kryer një kontrollim specialistik në ambulancën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pacientët, që për të zënë radhën kanë mbërritur në orët e hershme të mëngjesit, ankohen se kontrollet te specialisti i ortopedisë, në vend të orës 8, kanë nisur tek në orën 11.
“Me ardh në ora 5:30 me zanë rendin, me i marrë numrat, edhe kur t’vish deri ora 11-12 mos me t’kapë kërkush n’dorë, tana ora 12 thonë e kemi pauzën deri në ora 1. Ai ka ardh me u shëru, na ma zi po sëmuhemi”, ka thënë njëra nga pacientet.
E një tjetër paciente që kishte disa orë që qëndronte në korridor, lutej që të mos i shkonte huq pritja.
“Prej sabahu jemi qitu, prej orës 8. Qetash erdhi njani, hini aty... Tu prit me numër jemi, nashta qetash po ja fillon, inshallah”, është shprehur ajo.
Për vonesën në ofrimin e shërbimeve QKUK-ja në një përgjigje për KOHËN është arsyetuar duke thënë se stafi ka qenë prezent, porse nga ora 08:00 deri në 10:30 ka qenë i angazhuar në ekzaminime me ultrazë për pacientë të tjerë.
“Sa i përket ambulancës së ortopedisë, ajo funksionon pa terminë dhe pacientët trajtohen sipas rendit të paraqitjes dhe kapaciteteve ditore. Disa vizita mund të shtyhen për doktorët që fillojnë më vonë nga 10:30”, thuhet në një pjesë të përgjigjes së QKUK-së.
E pacientët thonë se nuk përballen vetëm me pritje e vonesa, por edhe me trajtim joprofesional.
Shehrije Gerbeshi, e cila kishte ardhur me bashkëshortin e saj me udhëzim emergjent nga mjeku familjar për kontroll te neurologu, thotë se nuk janë marrë parasysh nga mjeku dhe infermierja.
“Na kanë drejtu te neurologu e ortopedi. Kur erdhëm te neurologu, shkuam, tha jo këtu nuk bën se pa termin s’ka. Ajo që e ka shkru dikush në mënyrë paraprake urgjente nuk e merr parasysh, por vetëm me termin. Unë fola me ta, i tregova që jam bashkëshortja e tij. Vetëm më ka kqyr në mënyrë injorante, e ka përplas derën dhe nuk na ka marrë në bisedë. Të paktën jam largu vetë, ka provu burri me hy, kuptohet që ai hyri, i tregoi asaj doktoreshës, por assesi mos me u marrë parasysh burri, vetëm me termin. Kjo është një mjerim për pacientë. Shoku është shumë keq, as s’ka mujt me hangër, as me pi, as me ecë, edhe kqyr çka na thanë sot”, ka deklaruar Gërbeshi.
Pritje sipas pacientëve ka pasur edhe te shërbimi i kardiologut, e edhe gjatë kryerjes së pagesës.
“Duhet me prit rend prej sabahu jam tu prit. Te fletëpagesat po duhet me prit rend. Unë nuk kam, s’po muj me nejt, po duhet një përcjellës me m’pru”.
QKUK-ja i ka thënë KOHËS se rastet emergjente nuk trajtohen në ambulancat specialistike, pasi trajtimi i tyre mund të shkaktojë ndërprerje të punës së stafit dhe vonesa për pacientët e tjerë.
KOHA edhe më parë ka raportuar për vonesa në trajtimin e rasteve, sikurse edhe për nevojën që pacientët, disa prej shërbimeve, në vend se në ambulancën specialistike, duhet t’i kërkojnë në sektorin privat.