Pacientët detyrohen të vijnë fizikisht në QKUK për të marrë konfirmimin e terminit për kontroll, pasi ShSKUK-ja ka ndërprerë caktimin e tyre përmes telefonit në dy ambulancat specialistike ku ky shërbim funksiononte prej tre vjetësh. Në ShSKUK, ndërprerjen e shërbimit e kanë arsyetuar me sfida praktike të hasura gjatë zbatimit të tij
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka ndërprerë caktimin e terminëve përmes telefonit në dy ambulancat specialistike ku ky shërbim funksiononte prej tre vjetësh.
Ky sistem i cili në vitin 2022 ishte premtuar se do të zgjerohej në të gjitha ambulancat specialistike, tash e disa muaj nuk është funksional as në Klinikën e Syve dhe as në atë të ORL-së.
Për pasojë, të gjithë pacientët detyrohen të përshkojnë kilometra rrugë deri në Prishtinë, vetëm për të lënë një termin për vizitë specialistike.
“Ma ka caktu herën e kaluar kur me ardhë dhe ma dha numrin, prita kontrollen dhe kryjta kontrollen..... Thotë dokumentet nuk pranohen përmes telefonit, duhet me ardhë këtu me ba terminin. Ta cakton terminin edhe duhet me shku në datën dhe orën e caktuar... Sigurisht që kish qenë më mirë, por thanë dhe shkruan aty që përmes telefonit nuk pranohen”, ka treguar pacienti Azem Kryeziu nga Suhareka.
Edhe qytetarë të tjerë, të cilët të enjten ishin drejtuar për vizita në ambulancat specialistike, konfirmuan se ishin të detyruar të vijnë fizikisht për të lënë termin, për shkak të mungesës së alternativave të tjera.
“E kemi bërë termin para dy javëve, çdo dy javë bëjmë termin dhe vijmë. Kemi ardhë këtu fizikisht për me bë terminin Më mirë në fakt u kanë me i bë përmes telefonit”, ka thënë Gani Berisha.
E një tjetër pacient që nuk deshi të zbulonte emrin, tregoi se në ambulantë ka mbërritur një orë para kohe, porse s’ka mundur ta marrë shërbimin.
“Sot dy javë e kemi caktuar. Duhet me ardhë prapë javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Në SHSKUK, ndërprerjen e shërbimit në Klinikën e Syve dhe atë të ORL-së e kanë arsyetuar me sfida praktike të hasura gjatë zbatimit të tij.
“Pacientët shpesh nuk janë të qartë për llojin e shërbimit specialistik që u nevojitet, pasi nuk kanë kaluar paraprakisht te mjeku i familjes për referim të saktë. Mosardhja në termin ka rezultuar të jetë një problem i shpeshtë, duke bllokuar oraret dhe duke e vështirësuar menaxhimin e fluksit të pacientëve. Mospërputhja e pritjeve të pacientëve me shërbimet e planifikuara ka shkaktuar vështirësi në organizim dhe ankesa nga stafi mjekësor. Për këto arsye, sistemi është ndërprerë përkohësisht. Aktualisht, caktimi i terminëve bëhet në sportelet e klinikave, ku pacientët orientohen drejtpërdrejt për llojin e shërbimit që kërkojnë”, ka bërë të ditur Sadete Shabani, ushtruese e detyrës së koordinatores së Ambulancave Specialistike.
Për zotimin që ky institucion e kishte dhënë në vitin 2022 për finalizimin e planit për zgjerimin e këtij sistemi në të gjitha ambulancat specialistike, SHSKUK thotë se procesi ende është në shqyrtim.
“Ky proces po shqyrtohet brenda planit të digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore. Synimi është që, në bashkëpunim më të ngushtë me mjekësinë familjare dhe me një sistem të unifikuar, të krijohen kushte që ky shërbim të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase për të gjithë pacientët”, ka thënë Shabani.
KOHA vazhdimisht ka raportuar për numër të madh pacientësh dhe radhë të gjata në pritje në ambulancat specialistike.