Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deri në një vit pritje për heqje të perdes së syrit në Oftalmologjinë e Spitalit të Gjakovës

Deri në një vit presin pacientët e Spitalit të Gjakovës për heqjen e perdes së syrit në repartin e Oftalmologjisë. Në spital thonë se dy nga arsyet kryesore të krijimit të kësaj liste janë mungesa e një aparature moderne si dhe operimi me vetëm një mjek specialist. KOHA ka pyetur SHSKUK-në për këto probleme të spitalit, por ky institucion nuk ka ofruar përgjigje.

Deri në dymbëdhjetë muaj është lista e pacientëve në pritje për heqjen e perdes së syrit në repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Gjakovës.

Për pritjet për t’iu nënshtruar këtij intervenimit operativ për largimin e kataraktit ka treguar nën kushte anonimiteti një paciente.

“Më kanë shtuar në listën e pritjes para diku dy muajsh. Më kanë thënë se duhet me prit në radhë me arsyen se nuk jam rast urgjent”, ka thënë pacientja.

Këto të dhëna për Spitalin e Gjakovës figurojnë edhe në dokumentin që KOHA ka siguruar nga SHSKUK-ja mbi patologjitë dhe kohën mesatare të pritjeve për kryerjen e shërbimeve të ndryshme.

E ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv i spitalit, Hilmi Shala, ka dhënë dy arsye për krijimin e listës së pritjes.

Edhe Mbi 500 pacientë presin për operim të syrit, lista e pritjes deri në 6 muaj Arbëri Mbi 500 pacientë presin për operim të syrit, lista e pritjes deri në 6 muaj

“Mungesa e aparaturës së quajtur PHACO përmes së cilës kryhen operacionet e kataraktas me laser një metodë bashkëkohore ndërsa në spitalin tonë kryhen me metodën klasike në mungesë të kësaj aparature. Arsyeja e dytë është se në spitalin tonë është vetëm një mjek specialist Oftalmolog”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, që nga shtatori, spitali është angazhuar për të larguar listat e pritjes.

“Jemi angazhuar që të sigurohet kjo aparaturë sa më shpejt dhe të hiqet lista e pritjes. Kemi synime si menaxhment që deri në fund të vitit 2023 në Spitalin tonë të mos ketë listë të pritjes për asnjë shërbim”, ka shtuar ai.

KOHA ka pyetur SHSKUK-në se kur planifikohet të furnizohet spitali me aparaturë moderne dhe për mundësitë e angazhimit të oftalmologëve të QKUK-së në Gjakovë porse nuk ka marrë përgjigje.

Edhe Deri në gjashtë muaj pritje në Oftalmologji për heqje të perdes së syrit Arbëri Deri në gjashtë muaj pritje në Oftalmologji për heqje të perdes së syrit

Muaj më parë KOHA ka raportuar se për realizimin e këtij intervenimi ka mbi 1 mijë e 100 pacientë që janë në pritje deri në gjashtë muaj edhe në Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK.

Përveç heqjes së perdes së syrit, lista të pritjes në QKUK ka edhe për shërbime të tjera.