Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lista e pritjeve në ORL me pacientë nga viti 2023

ORL

Fëmijët me probleme të frymëmarrjes ose infeksione të shpeshta presin me muaj për trajtim kirurgjik në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK. Nga klinika kanë konfirmuar listat e gjata të pritjes, ndërsa në repartin e Rinologjisë disa pacientë janë në radhë që nga viti 2023. Njohësi i politikave shëndetësore, Vlorjan Molliqaj, ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë duhet të trajtojë listat e pritjes si emergjencë kombëtare

Ndërhyrjet kirurgjikale për heqjen e bajameve, trajtimi i çrregullimeve të frymëmarrjes gjatë gjumit, vendosja e drenave në vesh dhe procedura të tjera në repartin e fëmijëve të Klinikës së Otorinolaringologjisë po shtyhen për muaj të tërë.

Një prind, në kushte anonimiteti, për KOHËN ka treguar se pasi është drejtuar në këtë repart për vajzën e tij, termini i operimit i është caktuar për muajin shtator.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E kom pasë për kontroll disa herë, kanë thënë se ka nevojë për ndërhyrje, por deri në shtator po duhet me pritë. Nëse s’i përkeqësohet gjendja presim, por ka dhimbje dhe duhet me gjetë zgjidhje tjetër, pate s’pate para”, ka thënë ai.

Pritjet disamujore në këtë repart i kanë konfirmuar edhe nga vetë Klinika e ORL-së.

“Lista e pritjes për repartin e ORL-Fëmijëve është 6 deri në 8 muaj, për vitin 2026, me numër pacientësh 320. Në Klinikën e ORL-së për kontrolle ditore në ambulancën e pranimit trajtohen mesatarisht rreth 50 pacientë, ndërsa në ambulancat specialistike rreth 40 pacientë”, thuhet në përgjigjen e Klinikës së ORL-së.

Pritje ka edhe në repartet tjera të kësaj klinike. 

Në rinologji, ku kryhen ndërhyrje për hundën dhe sinusët paranazalë ka pacientë që presin me vite, e në otologji, që merret me sëmundjet e veshit dhe dëgjimit, pritjet janë me muaj.

“Lista e pritjes për repartin e ORL-Rinologjisë që nga viti 2023, me 280 pacientë. Ndërsa lista e pritjes për repartin e ORL-Otologjisë është 2-3 muaj për vitin 2026, me 35 pacientë”, thuhet në përgjigjen e kësaj klinike.

Hulumtuesi i politikave shëndetësore, Vlorian Molliqaj, ka treguar disa pika ku duhet të fokusohet Ministria e Shëndetësisë për të ulur pritjet.

“Gjendja aktuale me listat e pritjes në klinikat e QKUK-së nuk është vetëm një sfidë administrative, por është një krizë e sistemit që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Sallat operative duhet të funksionojnë me orar të plotë dhe me efikasitet maksimal. Duhet të vendosen rregulla të qarta për të shmangur konfliktin e interesit. Një sistem unik digjital do të mundësonte që secili pacient të dijë saktësisht radhën e tij, duke eliminuar mundësitë për ndërhyrje subjektive. Ministria e Shëndetësisë duhet ta trajtojë këtë çështje si një emergjencë kombëtare, duke prezantuar afate konkrete dhe plane të matshme se si do të shkurtohen listat e pritjes”, ka deklaruar Molliqaj.

KOHA, edhe më parë, ka raportuar për pritjet mbi dyvjeçare për pacientët që vuajnë nga gjëndrat tiroide e që për operim në repartin e laringologjisë numri i pacientëve në listë të pritjes është 348 sosh. 

Sipas kësaj klinike janë vetëm tre mjekë specialistë që merren me rastet e komplikuara në laringologji dhe trajtimin kirurgjik të gjëndrës tiroide.