Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pretendimet për favorizim e çojnë sërish në OSHP tenderin për barna nga Komuna e Pejës

Pejë

Tenderi emergjent prej 250 mijë eurosh nga Komuna e Pejës për furnizimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, është hapur duke u thirrur në mungesa dhe ankesa të pacientëve, derisa nga QKMF-ja thonë se kërkesat më të mëdha pritet të jenë verës me rritjen e numrit të pacientëve nga mërgata. Por tenderi është bllokuar pasi për herë të dytë është paraqitur ankesë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Komuna e Pejës ka hapur sërish tender emergjent për ta furnizuar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare me produkte medicinale, me arsyetimin se ka mungesa dhe ankesa të pacientëve.

Por, në QKMF kanë thënë se mungesa mund të ketë verës dhe në 
kutinë e ankesave askush nuk ka paraqitur ankesë zyrtare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tenderi, në vlerë prej 250 mijë eurosh, përfshin mbi 60 produkte me barna dhe materiale shpenzuese.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk ka bërë të ditur gjendjen aktuale të stokut për barnat dhe materialet që përfshihen në këtë tender, ndërsa ka arsyetuar nevojën për furnizim shtesë me rritjen e fluksit të pacientëve gjatë sezonit të verës kur shtohet numri i mërgimtarëve.

“Niveli aktual dhe ai që na nevojitet parashihet në përputhje me kërkesat e njësive. Asnjëherë nuk kemi bërë kërkesa pa nevojë. Mungesat varen nga nevojat, sidomos gjatë periudhës së mërgatës, kur kërkesat rriten dhe numri i banorëve trefishohet”, thuhet në përgjigjen e QKMF-së së Pejës.

Si nevojë më urgjente, nga QKMF-ja kanë përmendur terapinë antishok, për të cilën kanë thënë se aktualisht janë të furnizuar, por barnave pritet t’u skadojë afati së shpejt.

Përmes këtij tenderi për barna dhe materiale shpenzuese, komuna ka kërkuar të blejë edhe produkte dezinfektuese për duar dhe dysheme, për të cilat lëndën është ankuar për here të dytë në Organin Shqyrtues të Prokurimit një operator ekonomik.

“Për produktin 68 tani kemi specifikim shumë të hollësishëm dhe drejtpërdrejtë favorizues sepse është cekur 89.1 g Etanol 96%. Përcaktimi i specifikuar 89.1 përbën favorizim të drejtpërdrejtë të një prodhuesi të caktuar pa pasur asnjë arsye profesionale. Kërkojmë që detyrimisht për produktet në pozicionet nr. 68 dhe 69 të lejohet ekuivalenca, ose eventualisht që këto dy produkte të ndahen në një lot të veçantë, sepse janë dezinfektues dhe nuk e kanë vendin së bashku me produktet e tjera”, u tha nga “Medplus”. 

Kjo nuk është hera e parë që operatori “Medplus” i drejtohet OSHP-së për ndryshimin e këtyre specifikave dhe zgjatjen e afatit të tenderit.

Për këtë rast, Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte urdhëruar komunën që në specifika të përdoret termi “ekuivalent”, por edhe pas ndryshimit të dosjes nuk është përfillur ky urdhër i OSHP-së, e as nuk është bërë zgjatja e afatit.

Megjithatë, edhe pse paneli i OSHP-së kishte kërkuar ndryshime, Komuna e Pejës thotë se ligji e lejon kërkesën për mostra të produkteve.

“Janë kërkuar me të vetmen arsye sepse ligji e lejon për të vetmen arsye se na duhet kualiteti i mirë dhe të mos jetë i dëmshëm për shëndetin e punëtoreve”, u tha nga Komuna e Pejës.

Neni 37.1 i Ligjit për Prokurim Publik thotë se dokumentet e tenderit, në përgjithësi, duhet të shmangin kërkesën për paraqitjen e mostrave, pasi një kërkesë e tillë mund të dekurajojë konkurrencën dhe të rrisë çmimet e ofertave.