Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

QKMF në Pejë kryen teste që s’parashikohen në kujdesin parësor, Komuna paguan dyfish më shtrenjtë

PEJE

Në QKMF-në e Pejës kryen analiza laboratorike si marker tumoral, test për tiroiden dhe Vitaminë D, të cilat udhëzimi administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i parasheh të kryhen në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare. Kompani që ofrojnë këto shërbime kanë thënë se çmimi që ka paguar Komuna e Pejës për këto materiale është dyfish më i lartë se vlera e tregut

Analiza që nuk parashihen të kryhen në Qendrat e Kryesore të Mjekësisë Familjare po ofrohen në atë të Pejës përmes një tenderi mbi 91 mijë euro që ka dhënë kjo Komunë, për të cilin operatorët thonë se përmban çmime të fryra deri në dyfish.

Markeri tumoral për ndjekjen e kancerit të gjirit, testet për çrregullimet e tiroides, si dhe analiza për vitaminën D janë analizat që po kryhen në QKMF-në e Pejës, ndonëse udhëzimi administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i parasheh këto shërbime në nivelin e kujdesit parësor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në qershor të vitit të kaluar, Komuna e Pejës, ka lidhur kontratë me operatorin “Biohit MDS” për furnizimin me materiale laboratorike për QKMF-në për tri vite.

Sipas udhëzimit administrativ, institucionet e kujdesit parësor janë të destinuara për ofrimin e shërbimeve diagnostike bazike, ku janë të përcaktuara qartë edhe analizat që mund të kryhen në këtë nivel.

KOHA, pyetjet për këtë çështje i ka dërguar në adresën e Komunës së Pejës si autoritet kontraktues, por në to është përgjigjur kryeshefja e QKMF-së, Arijeta Musliqi.

Përfshirjen e këtyre analizave në këtë tender ajo e ka arsyetuar me faktin se këto analiza u ofrohen falas pacientëve me kancer të gjirit dhe se nuk janë në dijeni për çmimet e tjera të tregut.

“Çmimet reflektohen nga lloji i reagensit dhe ndryshojnë nga lloji i aparaturës. Ne nuk mund te punojmë dhe te ndërrojmë aparaturat zakonisht porositen për aparaturën ekzistuese të cilën e posedojmë me shumë se tre vite. Punojmë me aparaturë te dëshmuar për cilësi që i plotësojnë standardet dhe janë treguar të besueshme”, thuhet në përgjigjen e QKMF-së në Pejë.    

Se kryerja e këtyre analizave nuk parashihet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, e kanë konfirmuar edhe dy QKMF të tjera, ato të Prishtinës dhe Drenasit.

“Analizat e pyetura për CA 15-3 (marker tumoral), Anti-TPO (test imunologjik për tiroiden) dhe Vitaminë D janë kompetencë e nivelit sekondar dhe terciar”, ka thënë Valdet Hashani, drejtor i QKMF-së në Prishtinë.

Përgjigje e njëjtë është dhënë edhe nga QKMF-ja në Drenas.

“Analizat e cekura nuk kryhen në KPSH nuk janë të parapara”, ka thënë Ismet Bogiqi, drejtor i QKMF-së në Drenas.

Në kontratën e lidhur me operatorin ekonomik, për 100 teste të vitaminës D është paraparë një çmim prej 604 eurosh.

KOHA ka kontaktuar kompani laboratorike që merren me këto analiza. 

Nga njëra prej tyre, në kushte anonimiteti, kanë thënë se, sipas çmimeve të tregut, 100 teste për vitaminën D kushtojnë mes 300 e 350 euro.

Sipas kësaj kompanie, fryrje çmimesh në tender ka edhe për materiale të tjera, si CRP4  që përdoret për zbulimin e infeksioneve apo inflamacionit, si dhe TSH dhe FT4, analiza për vlerësimin e funksionit të tiroides.

“CRP4 në tender është 171 euro, ndërsa në treg rreth 100–110 euro. Anti-TPO në tender është 140.4 euro, ndërsa në treg rreth 120 euro. CA 15-3 në tender është 205 euro, ndërsa në treg rreth 150 euro. TSH dhe FT4, për 200 teste, zakonisht kushtojnë 80–100 euro, ndërsa në kontratë janë 156.6 euro”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

KOHA ka tentuar të dërgojë pyetje edhe tek operatori fitues i kontratës, por e-maili i cili është shfaqur në faqen e faqen e ARBK-së, nuk ishte funksional.

Në tender nuk është përfshirë analiza FT3, e cila kontrollon hormonin aktiv të tiroides dhe përdoret bashkë me TSH dhe FT4 për të zbuluar nëse tiroidja funksionon normalisht, test që edhe udhëzimi i MSH-së lejon të kryhet në QKMF.

Sipas QKMF-së së Pejës, analiza FT3 nuk është përfshirë, pasi diagnostikimi mund të bëhet me TSH dhe FT4.

Në këtë tender ka ofertuar vetëm një operator dhe ai është shpallur fitues.