Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë simpatizantëve të partisë së tij, se kur erdhi në pushtet i “është lënë në dorë patatja e nxehtë dhe një presion i madh i botës perëndimore për ta njohur Kosovën e pavarur”.
Të shtunën, si lider i Partisë Përparimtare Serbe, ka mbajtur mitingun e parë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 3 prill. Ka thënë se “populli nuk do (anëtarësim) në NATO” dhe se “Serbia nuk do të hyjë në NATO dhe për këtë do të dijë të zgjedhë më 3 prill”. “Populli e do neutralitetin ushtarak, ushtrinë e vet dhe vetë do ta ruajmë qiellin tonë”, ka thënë Vuçiq, kryeministër i Serbisë prej vitit 2014 deri më 2017, kur u bë president.
Ka thënë se Serbia është para sfidave të mëdha bazuar në situatën në Evropë në mbarë botën.
“Mjafton të shohim se çfarë po ndodh midis fuqive të mëdha, po ne nuk ulemi në shumë karrige, por e kemi një dhe të vetme dhe tonën – karrigen e Serbisë, të cilën s’ia japim askujt, për asgjë”, ka thënë ai.
Në mitingun parazgjedhur, Vuçiqi ka thënë se Beogradi nuk do të prishë raportet me Rusinë e Kinën, njashtu siç do të ketë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne kemi miq edhe në lindje edhe në perëndim, dhe këtë politikë tonën askush nuk mund ta ndryshojë dhe kjo është e vetmja politikë me të cilën Serbia mund të mbijetojë”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se kjo politikë është “garanci e sigurisë së popullit serb në rajon”.
Edhe
Vuçiqi thotë se pret presion të madh ndaj Serbisë për Kosovën në muajt e ardhshëm
Ka shtuar se Serbia po përcjell se çfarë po ndodh në botë.
“Sikur të vijë deri te konflikti, e shpresoj që jo, nuk do të ketë – nuk do të ketë miell, gaz naftë e as derivate, e shtrohet pyetje në do të ketë kripë e vaj – ne sot i kemi krejt këto me bollëk”, ka thënë Vuçiqi, teksa ka shtuar se “në Serbi nuk do të ketë uri”.