Në episodin e ri të podcastit PIKË, diplomati austriak Wolfgang Petritsch ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është bërë tashmë domosdoshmëri gjeopolitike për Perëndimin, në mënyrë që të parandalohet ndikimi rus dhe ai i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon.
Gjatë bashkëbisedimit me publicistin Veton Surroi, Petritsch u shpreh se megjithë rëndësinë strategjike të rajonit, mungon vullneti politik real në Bruksel për ta çuar përpara këtë proces.
“Integrimi në BE është pjesë thelbësore e stabilitetit të rajonit. Por më e rëndësishmja tani është të eliminohet ndikimi i jashtëm, veçanërisht ai keqdashës nga Rusia. E kemi edhe Kinën, Turqinë, shtetet e Gjirit… kjo nuk është domosdoshmërisht negative, por duhet të menaxhohet,” ka thënë Petritsch.
Ai shtoi se Ballkani Perëndimor duhet vendosur mbi një “platformë të qëndrueshme”, që për të është Bashkimi Evropian, por paralajmëroi se aktualisht nga Brukseli mungojnë hapat konkretë për të avancuar këtë qëllim.
Publicisti Surroi theksoi se, për Perëndimin, Ballkani Perëndimor është kthyer në një përparësi gjeopolitike, sidomos në dritën e kërcënimeve të jashtme, por ngriti pyetjen nëse mekanizmat e tanishëm janë të mjaftueshëm për të prodhuar rezultate të reja. Petritsch iu përgjigj se nëse përdoren të njëjtat mjete, rezultati do të mbetet i njëjtë.
