Është përuruar rruga ndërkufitare Gorozhup – Pogaj të shtunën, në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në përurim ishin kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u.d i ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, si dhe deputetë të dy kuvendeve.
Kurti e ka quajtur tejet të rëndësishme këtë rrugë si për banorët ashtu edhe për turizmin malor e kulturor. Ai ka thënë se kjo rrugë u bë në vlerën prej afër 1 milion euro.
“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, ka thënë Kurti.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se rruga i lidhë fshatrat Gorozhup dhe Pogaj, “që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme”.
E, Dauti ka theksuar se Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, “bashkimin e trojeve hasjanë”.