Pakkush nga publiku e njihte deri në prillin e vitit 2021. Por, me propozimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Albert Zogaj u bë kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës, pozitë që e kishte mbajtur gjatë shefi i Prokurorisë së Shtetit, Aleksandër Lumezi. Një gjë e tillë u kritikua fuqishëm nga media dhe organizata që e monitorojnë sistemin e drejtësisë, për shkak të konfliktit të mundshëm të interesit në mbajtjen e më shumë pozitave sesa lejohet me ligj. Ministrja Haxhiu i doli krah me deklarata të forta se si ai përfaqësonte një nga gjyqtarët më të mirë në vend. Jo shumë kohë më vonë, Zogaj arriti të merrte udhëheqjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga kjo pozitë u bë kundërshtar i fuqishëm i nismave të Ministrisë së Drejtësisë. I doli kundër Haxhiut dhe ekzekutivit sa herë folën për aktgjykime dhe lëndë që janë në trajtim në gjykata.
U bë zëri me kritik për vettingun, politikë që nga Haxhiu proklamohet si reformë, e cila patjetër duhet të ndodhë. Po kështu, ngriti zërin atëherë kur kërkesat e tyre për buxhet shtesë për vitin 2022 u injoruan nga Ministria e Financave dhe nga Kuvendi i Kosovës.
Zogaj ndryshe nga pararendësit e tij, pranoi të ballafaqohet me ekzekutivin në debate publike për t’ua shprehur hapur kritikat e pakënaqësitë.