Ministria e Drejtësisë ka kërkuar opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit nëse propozimi i Albert Zogajt për kryesues të Komisionit për Jurisprudencë është në kundërshtim me Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit. Një gjë të tillë kjo ministri e ka bërë pasi KOHA u ka dërguar pyetje për këtë çështje. Zogaj aktualisht kryen pesë funksione
Në krye të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës është votuar një “supermen”, që në të njëjtën kohë kryen disa funksione.
Albert Zogaj është gjyqtar në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, profesor në Kolegjin AAB, ligjërues në Akademinë e Drejtësisë, konsulent në një OJQ, teksa së shpejti mund ta marrë përsipër edhe kryesimin e Komisionit për Provim të Jurisprudencës.
Mbajtja e disa pozitave në të njëjtën kohë është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike, si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”, thuhet në paragrafin 13 të këtij ligji.
Faktin që Zogaj mban disa nga këto pozita, KOHA e ka konfirmuar në faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ai më 10 mars është zgjedhur anëtar i KGJK-së. Në njoftimin për media është prezantuar edhe biografia e tij.
“Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme. Prej vitit 2008 punon si ligjërues në Kolegjin AAB, njëkohësisht është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, në programin fillestar dhe të vazhdueshëm të arsimimit ligjor”, thuhet në biografinë e tij të bërë publike më 10 mars.
KOHA e ka konfirmuar përmes një dokumenti se ai është edhe konsulent i një OJQ-je. Merr pagë mujore rreth 500 euro.
Nga Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigjeje me shkrim kanë deklaruar se nuk janë në dijeni që Zogaj mban ndonjë pozitë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
“Sa u përket pozicioneve që mban gjyqtari Zogaj, ne nuk jemi në dijeni që z. Zogaj mban ndonjë pozitë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Këtë na e ka konfirmuar edhe vetë z. Zogaj”, thuhet në përgjigjen e MD-së. Por, siç ka mësuar KOHA, vetëm pas pyetjeve të dërguara Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit opinion nëse caktimi i Zogajt në këtë pozitë mund të bie ndesh me ligjin.
“Megjithatë, lidhur me këtë çështje ne kemi dërguar një kërkesë për dhënien e opinionit ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe para trajtimit të këtyre propozimeve në Komisionin për Legjislacion, do të informohemi lidhur me atë se nëse angazhimi i z. Zogaj në Komisionin për Provimin e Jurisprudencës bie në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, kanë konfirmuar nga Ministrja e Drejtësisë.
Nga kjo ministri janë deklaruar se do të veprojnë në bazë të legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me opinionin e AKK-së.
KOHA është munduar ta kontaktojë Zogajn gjatë tërë ditës, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave, e as nuk ka kthyer përgjigje në mesazhe.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sa ishte në opozitë, ka qenë kritike ndaj mosrespektimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nga ana e institucioneve. Ajo pati kritikuar kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili gjithashtu ka qenë kryesues i komisionit ku MD-ja e ka propozuar Zogajn.
Vetë ministrja Haxhiu qysh në ditët e para të punës i kishte dërguar letër AKK-së për këtë çështje.
Opinionin ligjor Haxhiu e kishte drejtuar në cilësinë e hartuesit të këtij ligji, duke sqaruar se qëllimi parësor i këtij opinioni ligjor është lehtësimi i zbatimit në praktikë të këtij ligji, në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ky ligj është miratuar.
Ministrja Haxhiu përmes këtij opinioni ligjor, ka sqaruar AKK-në se “në këtë drejtim edhe kufizimet e përcaktuara në nenin 12 dhe 13 të këtij ligji duhet të evitojnë në praktikë rastet e ushtrimit të funksioneve publike në kundërshtim me frymën e ligjit dhe neneve të lartpërmendura, përmes të cilave do të cenohej parimi i efikasitetit, profesionalizmit, integriteti personal i zyrtarit publik dhe institucionit që përfaqëson, kredibiliteti dhe evitimi i situatave që mund të ulin besimin e publikut në zyrtarin publik apo institucionin që përfaqëson”.
Ministrja në këtë opinion ka sqaruar nenin 13 të këtij ligji, duke theksuar se “zyrtari i lartë, krahas funksionit të tij publik, mund të jetë anëtar i vetëm një organi të cekur më lart, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Ndërsa pjesa e cila i referohet shpërblimit me pagesë, nënkupton se zyrtari i lartë nëse është njëkohësisht anëtar i organeve të cekura më lart nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të ndërlidhura me të”.