Gjylie Statovci mëngjeset i ka të hershme, qysh kur lind dielli.
Statovci, nga fshati Batllavë i Podujevës, punon si fermere tash e 13 vjet, pasionin që e kishte për konservimin e turshive tani e ka shndërruar në biznes.
Çdo vit sapo të vijë sezoni i vjeshtës ajo zgjedh specat më të freskët nga ara e saj, i pastron dhe i rëndit me rregull në kavanoza.
Procesi i konservimit nuk është vetëm përgatitje ushqimore, por edhe traditë.
“Së pari fillojmë me heqjen e farave të specit. Vazhdojmë me vendosjen e specave nëpër kavanoz, u hedhim brenda hudhra, sheqer, krip dhe uthull të sallatave, asnjë produkt tjetër. Këtu gjithçka është bio, nuk përdorim pluhur për ruajtje të specit. Këto janë të qëndrueshme, sepse ne i mbyllim hermetikisht në pastelizator, deri në momentin e hapjes speci nuk prishet, pastaj kur të hapet duhet të ruhet në frigorifer. Unë kam mbajtur trajnime edhe për konservimin e turshive, unë e bëj gjithherë me recetën e nënave tona, sepse kërkohen më shumë”, thotë Statovci.
Ajo tregon vështirësitë që ka pasur në fillimet e shitjes së produkteve.
“Unë veprimtarinë time me kultivimin e pemëve dhe perimeve e kam filluar në vitin 2012. Mirëpo pas rendimentit të madh e kam vazhduar unë, e kam pasur qëllim të merrem me ketë biznes qëkur isha e re, edhe nëna ime më ka shtyrë. Kur kemi filluar vetëm 2 ari i kemi pasur të mbjella, tani i kemi 40. Por jo vetëm speca, edhe 2 hektarë mjedër i kemi mbjellë. Kemi filluar edhe përpunimin, duke shkuar edhe nëpër panaire dhe trajnime, e kemi parë që kjo punë mundet me qenë shumë e suksesshme dhe jemi duke e vazhduar. Për herë të parë me 3 kavanoza me turshi kam dalë në panair në Prishtinë”, deklaron Statovci.
Të gjitha turshitë e Statovcit janë të shëndetshme, pa kimikate, ajo thotë se ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për të.
Një kavanoz me turshi e ka shitur deri në 8 euro.
“Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm edhe çmimi ka qenë i mirë edhe për speca, edhe për turshi. Çmimi ka qenë më i lartë se vitin e kaluar, një kavanoz me turshi e kam shitur 8 euro, nëse është më i vogël 5 euro pastaj edhe 3 euro. Deri më tani gjatë kësaj sezone i kam shitur 200 kavanozë, veçanërisht bashkatdhetarët janë ata që i kërkojnë shumë dhe e vlerësojnë shumë punën tonë. Blejnë edhe vendasit këtu bëjnë porosi. Asnjëherë nuk më ka ndodhë që t’i kthejnë turshitë për shkak të mos kualitetit”, thekson Statovci.
Vullneti i saj është i pakrahasueshëm, Gjylia nuk e ka aspak të vështirë punën në bujqësi e gjitha kjo për shkak të dashurisë që e ka për këtë punë.
“Unë zgjohem në ora 6.00 në mëngjes dhe dal në arë. E punojmë tokën që të kemi rendiment më të mirë. Deri në drekë jam këtu, jo vetëm unë por edhe anëtaret e tjerë të familjes, ne të gjithë produktin e sheshim me porosi këtu në Podujevë. Nuk është punë e lehtë mirëpo unë punoj me vullnet sepse unë marr forcë kur të punojë nuk është e vështirë aspak sepse kam motiv të madh”, shton ajo.
Planet e familjes Statovci për të ardhmen e afërt janë të mëdha. Ata synojnë të kultivojnë edhe kultura të tjera bujqësore duke e ruajtur kështu traditën e ushqimeve tradicionale shqiptare.